
Top Channel ka arritur të sigurojë dëshminë e punonjësit të policisë në burgun e Reçit, Altin Shabaj në lidhje me ngjarjen ku është përfshirë i burgosuri Edmond Piraniqi, i cili është gjetur i vetëvarur në qeli dhe aktualisht ndodhet në koma.
Babai i të burgosurit Edmond Piraniqi akuzoi një vit më parë në emisionin Fiks Fare në Top Channel stafin e Burgut të Reçit për dhunë dhe torturë ndaj djalit.
Sipas tij, në datën 29 qershor 2024 djali i tij është gjetur pa shenja jete dhe është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku aktualisht është në koma dhe në intubim si pasojë e dëmtimeve të rënda. Ai thotë se në letra stafi i burgut e ka shkruar se ka tentuar vetëvrasjen, por një gjë e tillë është e pavërtetë dhe se djali është gjetur në dysheme dhe me shenja të mëdha të dhunës në trup.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shkruhet se “Më datë 29.06.2024, rreth orës 21.20, Specialisti i Informacionit të IEVP Reç Malësi e Madhe ka njoftuar Policinë Gjyqësore se i dënuari Edmond Piraniqi ishte gjetur në dhomën nr. 17, godina nr. 5,
“Veçim” i varur me një çarçaf të lidhur rreth fytit, me këmbët që mbështeteshin në tokë. Në këto kushte, ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Shkodër, me shenja jete. Nga verifikimet ka rezultuar se në orën 20.48. ndaj këtịj të dënuari ishte përpiluar një Raport Incidenti dhe ishte dërguar në “Veçim” nga grupi i sigurisë, pasi kishte debatuar me infermieret dhe një punonjës policie të rolit bazë, konkretisht, shtetasin Altin Shabaj. Për sqarimin e rrethanave lidhur me këtë ngjarje, nga Policia Gjyqësore janë kryer veprimet e para procedurale.
Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi Altin ShabaJ, i cili ka treguar mbi rrethanat e faktit të përshkruara më lart. Ndër të tjera ky shtetas ka deklaruar se i dënuari Edmond Piraniqi ka kundërshtuar shoqërimin e tij, ku është kapur nga krahët nga grupi i sigurisë, i pa prangosur dhe është futur tek dhoma nr.17. Grupi i sigurimit ka qëndruar ne dhomën nr. 11 për rreth 5-6 minuta. Shpjegon se kur është hapur dera nr. 11 ka vënë re që shtetasin Edmond Piraniqi, po e shoqëronin prej krahu në korridorin e observimit, për t’a dërguar në dhomën nr. 17. E ka pyetur Edmondin në i duhej diçka, pasi i është dukur i stresuar. Kur është afruar dhe ka parë derën e dhomës nr. 11 që është hapur, ka vënë re që dhoma ishte e çrregullt, si në batanije dhe çarçafët ishin përtokë. Deklaron se ka dëgjuar vetëm fjalët nga i dënuari, si: “nuk dua të shkoj në izolim”, ndërsa zhurma të tjera nuk ka dëgjuar, por di të thotë që dera ishte e mbyllur nga grupi i sigurisë”.
Top Channel