
Prej disa muajsh kanë vijuar me intensitet punimet për rikonstruksionin dhe transformimin e rrugës Shirokë–Zogaj, një aks i shumëpritur që pritet të ndryshojë ndjeshëm jetën në këtë zonë.
Për vite me radhë, mungesa e një rruge të mirëfilltë e ka lënë fshatin e Zogajve të izoluar nga zhvillimi, ndonëse është një prej zonave më të bukura dhe piktoreske të Shkodrës, buzë liqenit.
Ky investim përfshin zgjerimin dhe ndërtimin e një rruge panoramike, si dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza. Banorët e Zogajve e konsiderojnë këtë projekt si një fillim të ri me shpresën se rruga e re do të sjellë më shumë vizitorë, jetë, ekonomi dhe gjallëri në këtë vend të harruar prej kohësh.
Rruga e re Shirokë–Zogaj nuk është thjesht një investim infrastrukturor por një mundësi ringjalljeje për të gjithë zonën. Ajo i jep fund izolimit dhe i hap derën zhvillimit, turizmit dhe rilidh lagjen e Zogajve, me qytetin e Shkodrës, të cilët deri më dje i ndante vetëm kjo rrugë, raporton korrespodenti i Top Channel, Klodian Zhivani.
Top Channel