
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve tregtare me Kanadanë, duke reaguar ndaj një takse të re dixhitale të vendosur nga qeveria kanadeze për kompanitë e mëdha teknologjike.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se “TË GJITHA diskutimet mbi Tregtinë me Kanadanë” do të ndërpriten menjëherë dhe paralajmëroi tarifa të reja për mallrat që kalojnë kufirin drejt SHBA-së gjatë javës së ardhshme.
“Ne do ta njoftojmë Kanadanë për tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda periudhës së ardhshme shtatë ditore,” tha ai.
Taksa e re 3% mbi shërbimet dixhitale e miratuar nga parlamenti kanadez vitin e kaluar pritet të hyjë në fuqi këtë javë. Ajo synon kompanitë me të ardhura të mëdha globale, shumica e të cilave janë amerikane. Ekspertët vlerësojnë se kjo do t’u kushtojë firmave si Amazon, Apple dhe Google më shumë se 2 miliardë dollarë në vit.
Sipas zyrtarëve kanadezë, taksa është pjesë e një përpjekjeje për të siguruar që kompanitë shumëkombëshe të paguajnë një pjesë të drejtë të taksave për shërbimet që ofrojnë në vend.
Pavarësisht deklaratës së Trump, Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, la të kuptohet se qeveria e tij është e gatshme të vazhdojë negociatat.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë këto negociata komplekse në interesin më të mirë të kanadezëve,” tha Carney për gazetarët.
Ndërkohë, zyrtarë të Dhomës Kanadeze të Tregtisë u shprehën të shqetësuar për pasigurinë e krijuar dhe efektet e mundshme në bizneset ndërkufitare.
Top Channel