
Mesfushorja e njohur spanjolle, Aitana Bonmatí, është shtruar në spital pasi u diagnostikua me meningjit viral, vetëm pak ditë përpara se Kombëtarja e Spanjës të niset drejt Zvicrës për Kampionatin Evropian të femrave.
Bonmatí, 27 vjeç, ka fituar Topin e Artë për dy vite radhazi dhe është shpallur Lojtarja më e mirë e vitit nga FIFA në 2023 dhe 2024. Ajo ndau një foto në Instagram nga shtrati i spitalit, teksa ndiqte miqësoren e Spanjës kundër Japonisë.
Simptomat e para mesfushorja e Barcelonës i ndjeu të enjten gjatë një aktiviteti rekreativ me skuadrën kombëtare. Pas një sërë testesh mjekësore, mjekët vendosën që të dielën ta shtrojnë në spital për trajtim të mëtejshëm.
Trajnerja e Spanjës, Montserrat Tomé, konfirmoi diagnozën dhe tha se situata është nën kontroll: “Të flasësh për meningjit mund të jetë e frikshme, por mjekët na kanë siguruar që gjithçka është nën mbikëqyrje të rreptë. Aitana është një lojtare shumë e rëndësishme për ne dhe do ta presim sa më gjatë që të jetë e mundur,” tha ajo.
Skuadra spanjolle pritet të udhëtojë nesër drejt Zvicrës, ku të mërkurën nis zyrtarisht Euro 2025. Megjithëse meningjiti viral është më pak i rrezikshëm sesa forma bakteriale, ka shqetësime për shëndetin dhe izolimin e pjesës tjetër të ekipit, për të shmangur ndonjë shpërthim të mundshëm infeksionesh.
Për momentin, nuk ka një afat zyrtar për rikthimin e Aitana Bonmatí në fushë.
Top Channel