
Marilyn Monroe jetoi një jetë plot lavdi, shkëlqim, dashuri, por edhe shumë vështirësi.
Ylli legjendar i Hollivudit ndërroi jetë në moshën 36-vjeçare dhe libri “Ditët e Fundit të Marilyn Monroe” nga James Patterson dhe Imogen Edwards-Jones, i cili do të dalë në ditët në vijim, “ndriçon” përmes dokumenteve dhe dëshmive ditët e fundit dramatike të divës së madhe.
Marilyn Monroe vdiq më 4 gusht 1962. Ajo u gjet e vdekur nga pastruesja e shtëpisë një ditë më vonë, në orën 3:45 të mëngjesit të së dielës, më 5 gusht, në shtëpinë e saj në periferi të Brentwood të Los Angeles. Ajo mbante një receptor telefoni në njërën dorë dhe një shishe bosh me pilula gjumi pranë saj.
Vdekja e saj iu atribuua një mbidoze me ilaçe gjumi. Lajmi për fundin e saj të papritur bëri bujë në të gjithë botën. Rrethanat e vdekjes së saj mbeten të pashpjegueshme. Misteri nuk është zgjidhur ende, ndërsa versione dhe skenarë janë formuluar vazhdimisht që atëherë. Sipas librit të ri, fragmente të të cilit janë botuar nga Dailymail, numërimi mbrapsht për jetën e saj kishte filluar shumë më herët.
Kur psikiatri i saj vendos se ajo duhet të shtrohet në një spital psikiatrik, jeta e divës së madhe ndryshon. Ajo zhvishet nga rrobat dhe i vihet një rrobë e thjeshtë spitalore. Pastaj, ajo mbyllet në një dhome me derë hekuri dhe Marilyn Monroe fillon të panikoset. Ajo është ylli më joshës në botë, por ka pasur frikë për një jetë të tërë se mos trashëgojë problemet psikiatrike të nënës së saj.
Një ditë ajo bërtiti histerikisht, duke goditur derën metalike me duar të zhveshura derisa i dolën gjak. Askush nuk u përgjigj, askush nuk erdhi. Si një kafshë e egër në kafaz, ajo ecën para dhe mbrapa, duke tërhequr me tërbim flokët e saj bionde. Papritmas, asaj i kujtohet një rol që dikur e kishte luajtur në një film. Ajo merr karrigen e vetme në dhomë dhe e hedh atë vazhdimisht, derisa dritarja thyhet. Infermieret mbërrijnë duke vrapuar – së bashku me një këmishë force. Tani e lidhur, katër burra e çojnë në një repart më të ruajtur në katin e nëntë dhe e drogojnë.
Atë natë, i gjithë spitali pëshpërit emrin që fshihej pas “Faye Miller” të rremë në dosjen e saj. Mjekët dhe infermierët rreshtohen për të parë nga afër Marilyn Monroe-n e famshme botërore, duke bërtitur dhe duke u rrokullisur në dysheme, e lidhur.
Pas një periudhe të gjatë rikuperimi nga shoku, Marilyn kthehet në Hollywood, por asgjë nuk është njësoj. John F. Kennedy i thotë një shoku se e ka braktisur, duke i thënë se ajo “nuk është e prerë për të qenë Zonja e Parë”. Por obsesioni i saj vazhdon.
Marilyn telefonon në rezidencën Kennedy në Hyannis Port, Massachusetts dhe Jackie përgjigjet. Marilyn nuk prezantohet, vetëm thotë se “po kërkon Jack-un”. E vetme në dhomën e saj, Jackie menjëherë e njeh zërin e gruas që dëshiron të zërë vendin e saj. Ajo e di që Marilyn ka probleme, kështu që e pranon me qetësi.
«Marilyn, do të martohesh me Jack-un, shumë mirë», i thotë ajo. «Dhe do të zhvendosesh në Shtëpinë e Bardhë dhe do të marrësh përsipër të gjitha përgjegjësitë e Zonjës së Parë. Dhe unë do të iki – dhe ti do të kesh të gjitha problemet». Pastaj i thotë motrës së saj: «Jeta është shumë e shkurtër për t’u shqetësuar për Marilyn Monroe-n».
Kennedy vazhdon ta largojë. Kur ajo e telefonon për ditëlindjen e tij, telefonata bllokohet. Në momentin e saj ikonik në Madison Square Garden, ajo i këndon atij “Gëzuar ditëlindjen, Z. President” para mijëra njerëzve. Ajo shkëlqen, por e di që kjo është kënga e saj e mjellmës.
Top Channel