Mijëra qytetarë në Teheran i japin lamtumirën 60 viktimave të sulmeve izraelite, mes tyre komandantë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë

28/06/2025 09:19

Mijëra njerëz mbushën rrugët kryesore të Teheranit, gjatë funeralit masiv të organizuar për 60 viktimat e sulmeve izraelite, përfshirë disa prej figurave më të larta ushtarake dhe shkencore të vendit.

Ceremonia u zhvillua pas përfundimit të një armëpushimi 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit, që pasoi përshkallëzimin më të rëndë të dhunës në vitet e fundit mes dy vendeve.

Në mesin e viktimave që u përcollën për në banesën e fundit ishin shefi i Gardës Revolucionare, gjenerali Hossein Salami, dhe kreu i programit të raketave balistike të Gardës, gjenerali Amir Ali Hajizadeh.

Arkivolet e tyre, së bashku me ato të viktimave të tjera – përfshirë shkencëtarë bërthamorë, katër gra dhe katër fëmijë – u transportuan me kamionë ceremonialë përgjatë bulevardit Azadi në zemër të kryeqytetit.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se ceremonia përfaqësonte funeralet e para publike për komandantët e lartë që nga shpallja e armëpushimit. Autoritetet ndërmorën masa të veçanta, duke mbyllur institucionet shtetërore për të lejuar nëpunësit civilë të marrin pjesë në homazhe.

Pamjet e drejtpërdrejta nga mediat iraniane treguan turmat duke mbajtur flamuj të zinj dhe portrete të udhëheqësve të vrarë, ndërsa thirrjet për “hakmarrje” kundër Izraelit u dëgjuan shpesh gjatë ceremonisë.

Ngjarja shënon një moment të rëndësishëm simbolik për regjimin iranian, i cili e ka përshkruar vdekjen e komandantëve si “dëshmorë për kombin” dhe një humbje të madhe për strukturat ushtarake dhe strategjike të Republikës Islamike.

Top Channel