
Linjat 1800 kilometra larg në vijë ajrore si dhe 3 orë fluturim, sollën këtë fillim-vit në Shqipëri një numër të konsiderueshëm turistësh nga Lindja e Mesme.
Konflikti Iran-Izrael dhe mbyllja e hapësirës ajrore është kthyer në një shqetësim për bizneset shqiptare turistike që këtë vit presin një numër të lartë turistësh nga këto vende.
Nga viti në vit këta shtetas ishin kthyer tashmë në besnik të Shqipërisë numri i të cilëve arriti në 7 mijë e 625 në 5 muaj me një rritje 49%.
“Ka patur një rritje nga vendet e lindjes së mesme por dhe Izraeli për shkak të linjave direkte. Për fat të keq ky numër është ekzistente për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore të shumë vendeve të lindjes mesme. Shumë tur-operatorë jemi në situatë të vështirë se ata ndodhen përballë dy zjarreve kërkojnë hotelet tu paguhen ndërsa partnerët kërkojnë tu mbahen rezervimet edhe pak se kanë besim tek qeveria e tyre për rregullim të situatës”, tha Rahman Kasa-Unioni Turistik Shqiptar.
Por përtej turistëve nga lindja e Mesme, turistët nga Shqipëria po largohen edhe për shkak të një sërë problematikash të tjera jo vetëm infrastrukturore por dhe mungesa e ujit në disa qytete si dhe zhurmat apo ndërtimet pa kriter.
Shqiptarët e Kosovës që janë dhe shtylla kryesore e totalit të turistëve në Shqipëri, sipas tur-operatorëve po braktisin vendin për oferta më të mira në shtete të tjera.
“Kemi një reduktim të qytetarëve të Kosovës. Zakonisht vijnë fundjavave deri në fillim të sezonit dhe në sezon edhe për shkak të çmimeve reduktojnë numrin dhe gjejnë vende të gjera si Halkidiki me resorte të mëdha. Dhe turistët nga Evropa kanë pësuar rënie. Zgjedhin vende të reja kryesisht individualët.
Në hotelet e Durrësit mungon ujë, hotelet zbrazin pishinat për të mbushur depozitat që të lahen turistët. Jemi në pikun e vapës dhe imagjinoni turistë që s’ka ujë pasi del nga plazhi. Problematikë serioze ndërtimet që vazhdojnë përgjatë bregdetit. Shpeshherë klientët u thonë guidave më mirë të merrnim rroba pune dhe jo plazhi”.
Ndonëse parashikimi i qeverisë për vitin 2025 arrin deri në 15 milionë turistë, tur-operatorët presin një ngadalësim të zhvillimit të turizmit veror, ndërsa shpresa e tyre mbetet tek grupet e organizuara të cilat respektojnë kontratat.
Top Channel