Interi gati t’i plotësojë dëshirën Chivus, zikaltrit pranë transferimit të sulmuesit të talentuar francez

28/06/2025 10:31

Ange-Yoan Bonny është shumë pranë të bëhet lojtari më i ri i Interit.

Sulmuesi francez, i lindur në vitin 2003, pritet të vishet zyrtarisht zikaltër gjatë ditëve në vijim, me vetëm disa detaje të vogla që ndajnë klubin nga nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare me Parmën.

Pritet që vizitat mjekësore të zhvillohen që të hënën, nëse dy klubet arrijnë një dakordësi të shpejtë për mënyrën e pagesës dhe bonuset që do të përfshihen në marrëveshje.

E ardhmja e afërt e sulmuesit është ende në diskutim. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, trajneri Cristian Chivu po shqyrton mundësinë që ta marrë me vete në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës për Klube, ku Interi është duke garuar.

FIFA ka hapur një dritare të dytë transferimesh për skuadrat që ndodhen në SHBA, e cila qëndron e hapur deri më 3 korrik – duke i dhënë klubeve mundësinë të regjistrojnë përfundimisht lojtarë për fazën me eliminim direkt.

Gjithsesi, Bonny ka pak gjasa të luajë në këtë turne. Interi luan të hënën në mbrëmje ndaj Fluminense në fazën e 1/8-ve dhe në varësi të rezultatit, do të vendoset nëse lojtari do t’u bashkohet shokëve të rinj në Orlando për çerekfinalet, apo do të qëndrojë në Itali për të nisur punën në qendrën stërvitore të Pinetinës, ku tashmë janë rikthyer edhe Pavard, Bisseck, Zielinski dhe Calhanoglu.

Stuttgart u përpoq të ndërhynte në fund për të siguruar shërbimet e Bonnyt si zëvendësues i Woldemade, ndërsa Bayern Munich është gati të ofrojë deri në 60 milionë euro për të një tjetër yll të Euro U21, por marrëveshja mes Interit dhe Parmës duket se do të respektohet deri në fund.

Bonny do të firmosë një kontratë pesëvjeçare që e lidh me Interin deri në vitin 2030. Vendimi për përfshirjen e tij në ekipin që ndodhet në SHBA do të merret nga stafi teknik, por me rikthimin e Marcus Thuram dhe shpërthimin e Pio Espositos, zikaltërit mund të zgjedhin një integrim më të ngadaltë dhe të matur për Bonny-n në ambientin interist.

Top Channel