
Policia ka hedhur gaz lotsjellës drejt protestuesve që janë mbledhur përpara një kordoni policor afër Presidencës së Serbisë në mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të një proteste të organizuar nga studentët.
Më herët gjatë ditës janë organizuar dy protesta: njëra nga studentët që i kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror prej fundit të vitit 2024 dhe kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dhe tjetra nga ata që deklarojnë se e mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pasi protesta e studentëve, e mbajtur në sheshin Sllavija është shpallur zyrtarisht e përfunduar, një grup i burrave të maskuar është përleshur me policinë në kryeqytetin serb.
Ata janë parë duke hedhur shishe dhe gjësende tjera drejt zyrtarëve policorë.
Të pranishëm në zonën e protestave ka shumë zyrtarë policorë, përfshirë njësitet e xhandarmërisë.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i ka dënuar ashpër “sulmet e pjesëmarrësve në marshin në sheshin Sllavija ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme”.
Ai ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të rikthyer rendin publik dhe që të gjithë ata që e kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht.
Vetë Vuçiç e ka publikuar një video – para se të shpërthente dhuna – nga Parku i Pionierëve, ku janë mbledhur studentët pro tij, duke thënë se “bllokuesit humbën”.
“Studentët fituan, bllokuesit humbën. Krenar me këta të rinj”, ka shkruar presidenti serb në Instagram.
Sipas tij, në protestën e së shtunës ka pasur tre herë më pak njerëz sesa më 15 mars, kur është mbajtur një protestë masive.
Sipas Vuçiçit, studentët do të kthehen në universitete dhe i ka falënderuar ata që i kundërshtojnë bllokadat.
Studentët i bëjnë përgjegjëse institucionet për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntorin e vitit të kaluar, që ka rezultuar me vdekjen e 16 personave, prandaj po kërkojnë nga Qeveria që t’i dërgojë presidentit Vuçiç një propozim për shpërndarje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të reja.
Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit të mbështetësve të Qeverisë, të cilët deklarojnë se duan të mësojnë. Ata u kanë thënë ultimatum autoriteteve deri në orën 21:00 të së shtunës që t’ua plotësojnë kërkesat.
Mirëpo, Vuçiq ka thënë më 27 qershor se “ultimatumi nuk është pranuar”.
Disa ditë më parë, autoritetet i kanë arrestuar gjashtë persona për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetutës”. Autoritetet i akuzojnë organizatorët e protestës se janë “duke u përgatitur për dhunë”.
Studentët, në anën tjetër, kanë deklaruar se me veprimet e tyre deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme të dhunës./REL
Top Channel