Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Në një nga zonat më prodhuese në vend, në Frakull fermerët po përballen me një nga krizat më të rënda të viteve të fundit.
Në kulmin e sezonit të frutave dhe perimeve, mungesa e fuqisë punëtore po paralizon punën në fusha.
Ndërsa luleshtrydhja është drejt fundit dhe prodhimi i shalqirit e domates sapo ka nisur, fermerët thonë se nuk kanë më fuqi të përballojnë vëllimin e madh të punëve pa ndihmë.
Shumë nga prodhimet rrezikojnë të mbeten të pavjela, duke sjellë humbje të mëdha ekonomike.
“Kam 2 hektarë me shalqinj, 5 dynym domate fushe dhe 5 dynym luleshtrydhe. Nuk po gjejmë dot punëtorë. Po punojmë me forcat tona familjare. Vjet, ngarkimi i shalqirit kushtonte 20 mijë lekë për ton, këtë vit ka shkuar 25-30 mijë. Janë rritur edhe kostot për transportin nga toka në pikën e grumbullimit. Po na ngelet prodhimi në fushë. Luleshtrydhen po e shesim për recel sepse nuk ka kush ta mbledhë për treg”, deklaroi Miri Zeqaj-kultivues.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Nesti Troka, prodhues dhe grumbullues frutash dhe perimesh.
“Fushata sapo ka nisur me shalqirin, domaten, nektarinën. Luleshtrydhja është drejt fundit. Problemi kryesor është krahu i punës. Po reduktojmë sipërfaqet e mbjella, sepse nuk ka kush të vijë t’i vjelë. Këtu një punëtor paguhet 10 euro ora, më shumë se në Greqi, por prapë nuk gjejmë njerëz”, u shpreh Nesti Troka-kultivues.
Edhe pse fermerët kanë rritur pagesat dhe ofrojnë kushte më të mira sesa në disa vende fqinje, mungesa e punonjësve mbetet një sfidë serioze që rrezikon jo vetëm të ardhurat e tyre, por edhe furnizimin e tregut vendas.
Top Channel