
Presidenti Donald Trump ka mohuar kategorikisht raportet e mediave që sugjerojnë se administrata e tij ka diskutuar mundësinë e ndihmës për Iranin në aksesimin e 30 miliardë dollarëve për të ndërtuar një program civil të energjisë bërthamore.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump reagoi ashpër ndaj lajmit, duke e quajtur të pavërtetë dhe “një tjetër mashtrim mediatik”.
“Kush në median e lajmeve të rreme është ai horr që thotë ‘Presidenti Trump dëshiron t’i japë Iranit 30 miliardë dollarë për të ndërtuar objekte bërthamore jo-ushtarake’? Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë ide qesharake. Është thjesht një tjetër mashtrim. Këta njerëz janë të sëmurë”, shkroi Trump.
Deklarata e Trump vjen pas spekulimeve në disa media amerikane që pretendojnë se brenda administratës është diskutuar një mundësi për të ofruar lehtësime ekonomike ndaj Iranit në këmbim të kufizimeve të programit të tij bërthamor – një model i ngjashëm me marrëveshjen e vitit 2015 të JCPOA, të cilën Trump e tërhoqi në vitin 2018.
Zëdhënës të fushatës së Trump nuk kanë dhënë koment shtesë për këto raportime, ndërsa nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë konfirmuar ekzistencën e ndonjë diskutimi të tillë zyrtar.
Top Channel