“Takimi me Trump i mundshëm, presidenti amerikan kërkon një zgjidhje për konfliktin”, Putin: Ne kërcënim për NATO-n? Marrëzi!

27/06/2025 22:27

Lideri i Kremlinit Vladimir Putini ka deklaruar se Rusia nuk është një kërcënim për NATO-n.

“Pretendimet e atyre që flasin për një kërcënim rus ndaj NATO-s për të motivuar rritjen e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare të Aleancës janë “të pakuptimta”.

Kështu deklaroi Presidenti Vladimir Putin në një konferencë për shtyp në Minsk.

“Moska po llogarit shpenzimet e saj ushtarake duke marrë parasysh vetëm atë që është e nevojshme për të “përfunduar operacionin special ushtarak” në Ukrainë. Kjo është ajo që ne marrim parasysh, jo plane agresive kundër vendeve evropiane dhe NATO-s. Ne planifikojmë të ulim shpenzimet, ndërsa ata planifikojnë t’i rrisin ato”, shtoi Putin.

Ndërkohë Presidentin Donald Trump ai e quajti një burrë të guximshëm që po punon për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Donald Trump është një burrë i guximshëm i cili po punon sinqerisht për të zgjidhur çështjen, në lidhje me konfliktin në Ukrainë”, tha ai.

“Një takim me Donald Trump është i mundshëm, por duhet të përgatitet”, tha ai.

“Unë, ashtu si Trump besoj se takime të tilla duhet të përgatiten dhe, bazuar në rezultate, duhet të arrijmë nivele të reja bashkëpunimi”, tha Putin.

“Në përgjithësi, falë Presidentit Trump, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po fillojnë të stabilizohen disi. Jo gjithçka është vendosur në sferën e marrëdhënieve diplomatike, por hapat e parë janë ndërmarrë. Ne po ecim përpara”, tha Putin.

Top Channel