
Pas më shumë se një muaji pritjeje, Leicester City ka konfirmuar zyrtarisht largimin e trajnerit Ruud van Nistelrooy nga klubi.
Njoftimi vjen 34 ditë pas përfundimit të sezonit, në të cilin “Dhelprat” zbritën nga Premier League në Championship.
Trajneri holandez 48-vjeçar mori drejtimin e skuadrës në dhjetor, duke zëvendësuar Steve Cooper, por nuk arriti të shpëtonte ekipin nga rënia. Ai regjistroi vetëm 4 fitore në 25 ndeshje kampionate dhe plot 18 humbje, me një seri zhgënjyese prej 15 disfatash mes dhjetorit dhe prillit. E vetmja fitore gjatë kësaj periudhe ishte ajo ndaj Tottenham më 26 janar. Leicester e mbylli sezonin në vendin e 18-të, 13 pikë larg shpëtimit.
Sipas raportimeve të “The Sun”, vonesa në zyrtarizimin e largimit kishte të bënte me përllogaritjet financiare dhe hapjen e periudhës së re të kontabilitetit futbollistik.
Në deklaratën e klubit thuhet se palët kanë rënë dakord në mënyrë të ndërsjellë për prishjen e kontratës. “Klubi falënderon Ruud për përkushtimin dhe punën e tij të palodhur gjatë kohës që drejtoi skuadrën,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Nga ana tjetër, Van Nistelrooy tha:
“Do të doja të falënderoja personalisht lojtarët, stafin teknik, akademinë dhe të gjithë punonjësit e Leicester City për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre gjatë kohës sime në klub. Gjithashtu falënderoj tifozët për mbështetjen e tyre dhe i uroj klubit çdo të mirë për të ardhmen.”
Përgatitjet për sezonin e ri në Championship do të vazhdojnë sipas planit, me stafin aktual që do të mbikëqyrë fazën përgatitore që nis më 30 qershor, derisa të emërohet trajneri i ri.
Aktualisht, favorit për të marrë drejtimin e Leicesterit është Sean Dyche – ish-trajner i Burnley dhe Everton, që aktualisht është i papunë. Emra të tjerë që përmenden janë Danny Rohl i Sheffield Wednesday dhe Michael Carrick, i larguar së fundmi nga Middlesbrough.
Ndërkohë, Leicesteri mbetet në pritje të një vendimi për penalizim me pikë për shkelje të rregullave financiare, çka mund ta nisë sezonin e ri me një bilanc negativ. Në rast se emërohet, Dyche mund të përballet edhe me një buxhet të kufizuar – një realitet me të cilin është mjaft i njohur nga eksperiencat e mëparshme.
Top Channel