
Milani ka kthyer sytë nga një emër që tremb mbrojtjet kundërshtare vetëm nga statistikat: Viktor Gyokeres.
Sulmuesi 27-vjeçar suedez vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm me afro 50 gola dhe është një prej emrave më të nxehtë të merkatos. Klubi kuqezi, i udhëhequr nga drejtori i ri sportiv Igli Tare, synon ta sjellë atë në “San Siro”, por operacioni është gjithçka përveçse i lehtë.
Fillimisht çmimi: Sporting Lisbona kërkon rreth 70 milionë euro, shifër kjo që mund të jetë vetëm pikënisja, për shkak të konkurrencës së ashpër. Arsenali dhe klube të tjera të Premier League janë të interesuar seriozisht, me anglezët që vetëm një muaj më parë raportohej se kishin një marrëveshje pranë mbylljes. Por gjithçka mbeti në kuadrin e kontakteve fillestare, pa asnjë zhvillim konkret.
Premier League mbetet një destinacion më joshës për Gyokeres, për shkak të pagave të larta që ofrohen – një avantazh që Serie A nuk mund ta barazojë. Megjithatë, Milani përpiqet të luajë kartat e veta: prestigji historik i klubit, një projekt ku sulmuesi do të ishte në qendër të gjithçkaje, dhe premtimi për të ndërtuar një skuadër konkurruese rreth tij, që synon menjëherë kthimin në Champions League.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Milani mund të mendojë për një investim kaq të madh në merkato. Me shitjet e përfolura të Morata dhe Thiaw drejt Como-s, të Reijnders drejt Manchester City-t dhe Theo Hernandez në Al Hilal, kuqezinjtë pritet të arkëtojnë rreth 144 milionë euro. Një pjesë do të përdoret për të ekuilibruar bilancet, por pjesa tjetër do të riinvestohet.
Nëse pista për Gyokeres dështon, Milani ka edhe alternativa të tjera të rëndësishme: Dusan Vlahovic, Aleksandar Mitrovic, Mateo Retegui, Breel Embolo, Gonçalo Ramos, Vangelis Pavlidis, Artem Dovbyk dhe të tjerë janë në listë. Objektivi është i qartë: të gjendet qendërsulmuesi i së ardhmes.
Në një merkato të nxehtë dhe me shumë rivalë në garë, Milani është i detyruar të bëjë një zgjedhje të saktë. Sepse gabimi në këtë pozicion mund të kushtojë shumë – sportivisht dhe financiarisht.
Top Channel