Erling Haaland kërkon të shkruajë historinë, arrin kuotën e 300 golave më shpejt se Messi e Ronaldo

27/06/2025 18:20

Erling Haaland ka arritur një tjetër moment historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke shënuar golin e 300-të në fitoren e thellë 5-2 të Manchester City ndaj Juventusit në Kupën e Botës për Klube.

Sulmuesi norvegjez realizoi golin e tretë të Cityt në fillim të pjesës së dytë, duke vulosur një arritje që pak lojtarë në historinë e futbollit e kanë përjetuar kaq herët.

Trajneri Pep Guardiola nuk i kurseu fjalët e lavdërimit për Haalandin pas ndeshjes. “I kërkoj vetëm të bëjë lëvizjen e parë. Nuk ka presion përtej kësaj. Ai është një makinë dhe ne duhet ta mbështesim. Sot ishte i jashtëzakonshëm. Të shënosh 300 gola në moshën 24-vjeçare është diçka e rrallë,” u shpreh spanjolli.

Statistikat flasin vetë: Haaland ka shënuar 123 gola për Manchester Cityn, 86 për Borussia Dortmundin, 29 për Salzburgun, 20 për Molden dhe 42 gola për Norvegjinë në vetëm 43 ndeshje. Në total, ai ka arritur kuotën e 300 golave në vetëm 370 ndeshje zyrtare – shumë më shpejt se emra legjendarë si Lionel Messi (418 ndeshje) dhe Cristiano Ronaldo (554 ndeshje). Madje, edhe Kylian Mbappé kishte nevojë për 409 ndeshje për të kapur këtë shifër.

Për krahasim, Messi kishte arritur kuotën e 300 golave në moshën 25-vjeçare, ndërsa Ronaldo e kishte bërë këtë në moshën 27-vjeçare. Ndërkohë, Haaland ka ende shumë vite përpara për të ndjekur rrugën e tyre dhe ndoshta për të vendosur rekorde të reja.

Megjithatë, stili i Haalandit ndryshon dukshëm nga ai i dy ikonave të futbollit modern. Ai është një “numër 9” klasik – i pozicionuar për të finalizuar – çka reflektohet edhe në numrin më të ulët të asistimeve krahasuar me Messi-n dhe Ronaldo-n në të njëjtën pikë të karrierës. Por përsa i përket efikasitetit dhe shpejtësisë në shënim, ai tashmë ka vendosur një standard të ri.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Haaland mund të jetë në rrugën e duhur për të qenë një prej golashënuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe fakti që ende nuk ka hyrë në kulmin e tij fizik e teknik, e bën këtë perspektivë edhe më të frikshme për kundërshtarët.

Top Channel