Turizmi, lufta prishi planet! Ankohen operatorët në Durrës, vizitorët nga Izraeli anuluan prenotimet

26/06/2025 12:25

Ky sezon turistik nisi me pritshmëri të larta për shtim të vizitorëve nga Lindja e Mesme, veçanërisht nga Izraeli, po zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Iranit kanë sjellë pasoja edhe për turizmin shqiptar.

“Kishim shumë rezervime nga shtetas izraelitë që kishin zgjedhur Durrësin për pushimet verore. Por rezervimet janë ndërprerë. Është një arsye madhore dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rezervimet në hotele”, tha Blerim Norja-administrator turistik.

Pasiguria që ka përfshirë rajonin, po ndikon më gjerë se kaq. Edhe agjencitë e udhëtimit nga vende të tjera europiane po tregohen më të kujdesshme për pushimet jashtë vendit të tyre, përfshirë dhe Shqipërinë.

“Për shembull nga agjencitë polake na kanë njoftuar për një tkurrje të rezervimeve për shkak të situatës së luftës…”, deklaroi Norja.

Megjithatë, në Durrës operatorët turistikë mbeten optimistë. Humbjet e shkaktuara nga anulimet e rezervimeve izraelite pritet të zëvendësohen me flukse të reja, veçanërisht nga tregje që po shfaqin rritje të ndjeshme këtë vit.

“Sezoni paraqitet shumë i mirë. Edhe pse kemi pasur anulime nga izraelitët, ka rritje të kërkesës nga vende të tjera. Risi këtë vit është shtimi i turistëve anglezë dhe francezë, të cilët po vijnë në mënyrë të organizuar. Që nga fillimi i vitit kemi parë një dyndje të tyre në bregdetin e Durrësit”, tha Norja.

Pavarësisht sfidave të krijuara nga tensionet ndërkombëtare, operatorët turistikë shpresojnë që sezoni të vazhdojë i mbarë dhe vendi ynë të forcojë më tej imazhin si një destinacion i sigurt dhe mikpritës për pushues nga e gjithë bota.

Top Channel