“The Last Dance”? Ronaldo kundër Messit mund të ndodhë sërish, babai i argjentinasit takohet me drejtuesit e klubit të njohur saudit

26/06/2025 17:32

Një nga përballjet më ikonike në historinë e futbollit modern, ajo mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, mund të rikthehet sezonin e ardhshëm – këtë herë në Lindjen e Mesme.

Ishte dhjetori i vitit 2020 kur në “Camp Nou”, Juventusi i Cristiano Ronaldos triumfoi ndaj Barcelonës në një ndeshje të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Ajo sfidë mbetet për momentin përballja e fundit zyrtare mes dy legjendave të futbollit. Prej atëherë, përveç një miqësoreje mes Al Nassr dhe PSG në vitin 2023, nuk ka pasur më përplasje zyrtare mes tyre. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Cristiano Ronaldo ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me klubin saudit Al Nassr deri më 30 qershor 2027, duke konfirmuar se do të vazhdojë karrierën e tij deri në moshën 42-vjeçare. Ndërkohë, Lionel Messi është sërish në radarët e Al Hilal, ku trajner është Simone Inzaghi, shkruan Sport Mediaset.

Presidenti i Al Hilal, Fahd bin Namel, zbuloi se dy vite më parë i kishin ofruar Messit 1.4 miliardë euro pas largimit nga PSG, por ylli argjentinas zgjodhi MLS për shkak të dëshirës së familjes për të jetuar në SHBA. Tani, një takim i ri mes drejtuesve të Al Hilal dhe babait të Messit, Jorge, pritet të ndodhë në ditët në vijim, për të diskutuar mundësinë e një transferimi në Arabinë Saudite.

Në rast se kjo ndodh, futbolli do të jetë sërish dëshmitar i rivalitetit legjendar që ka ndezur skenën ndërkombëtare për më shumë se një dekadë. Deri më sot, Ronaldo dhe Messi janë përballur 36 herë: argjentinasi ka fituar 16 ndeshje, portugezi 11, ndërsa 7 sfida kanë përfunduar në barazim. Edhe në aspektin individual, Messi kryeson me 22 gola kundrejt 21 të Ronaldos.

A do të rikthehet sfida historike në Ligën Profesionale Saudite? E gjitha varet nga Leo Messi.

Top Channel