Në Golem mungon uji, ankohen banorët! Reagon ujësjellësi: Defekt në linjat e vjetra

26/06/2025 15:24

Prej të paktën pesë ditësh, banorë dhe pushues të një kompleksi pallatesh në zonën turistike të Golemit po përballen me mungesën e ujit të pijshëm.

Në kulmin e sezonit veror, kjo situatë po kthehet në një shqetësim serioz për ta,

Rritja e ndërtimeve dhe e numrit të pushuesve ka shtuar kërkesën për ujë në bregdet. Banorët thonë se ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërsa prioritet në furnizim u jepet hoteleve. Të zhgënjyer, ata po mendojnë t’u rikthehen zgjidhjeve primitive dhe të pasigurta.

Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Durrës sqaron për Top Channel se defekti është lokal, i shkaktuar nga bllokime në linjat e vjetra dhe një grup teknik do të jetë në terren për të zgjidhur problemin.

Ndërkohë, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente përpara se kriza të përkeqësohet më tej.

Në vend të pushimeve të qeta, Golemi këtë fund qershori po përjeton një krizë që sfidon turizmin dhe jetën në zonë.

 

Top Channel