
Aksidenti në zemër të Tiranës që la pas 3 të mitur të plagosur, të cilët udhëtonin me monopatina elektrikë, është më i rëndi i këtij lloji, por nuk është i vetmi.
Top Channel mëson se në 5 muajt e parë të këtij viti, 212 persona janë lënduar nga aksidente apo incidente me monopatina. Ndërsa vitin e kaluar, numri i tyre ishte rreth 700.
“Si monopatinat dhe biçikletat janë mjete rrugore, prandaj në rrugë duhet të sillen si gjithë mjetet e tjera: të respektojnë çdo sinjalistikë dhe rregull. Mirë është të mbajnë dhe kaskë, pasi një rënie e vogël nga tensioni apo humbja e ekuilibrit sjell pasoja të rënda”, thotë eksperti Artrur Sulçe.
Duke parë që trafiku në Tiranë nuk është “smart”, do të sugjeroja që të vihej sa më parë në funksionim linja “giallo”, ku të kalojnë autobusët por edhe këto mjete vulnerabël.
Megjithëse monopatinat janë bërë masive në përdorim, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nuk ka bërë ende një klasifikim për t’i quajtur këto mjete elektronike motorike apo mjete çikliste, duke krijuar kështu një vakum ligjor. Përballë shkeljeve të tyre, policia mjaftohet vetëm me këshillime.
Sulçe shton: “Fëmijët nën 12 vjeç nuk e njohin Kodin Rrugor. Nuk duhet të lejohen t’i drejtojnë këto mjete pa praninë e prindërve.”
Në lidhje me aksidentin e një dite më parë, ekspertiza zbuloi se fëmijët me monopatina kishin shkelur semaforin. Pavarësisht kësaj, 41-vjeçari që drejtonte makinën u vu në pranga, nën dyshimin se nuk kishte respektuar limitin e shpejtësisë në zona urbane.
Top Channel