Çdo ditë aksidente me monopatina, mjekët kërkojnë që përdorimi të rregullohet me ligj se si, ku dhe nga kush të përdoren

26/06/2025 15:27

Pas aksidentit të një dite më parë të tre te miturve me monopatinë mjekët e spitalit të Traumës u kërkojnë autoriteteve shtetërore të ndërhyhet me ligj për rregullimin e lëvizjeve me monopate pasi pothuajse çdo ditë ka aksidente prej tyre.

Prej kohësh këtë e ka kërkuar edhe kreu i urgjencës kombëtare i cili deklaroi se vetëm këtë vit aksidentet me monopate janë rritur me 30 %.

“Ka ardhur koha edhe për shkak te përdorimit masiv të rregullohet me ligji, kush duhet t’i përdorë, shpejtësia, madje personalisht edhe një mini-patentë”, u shpreh, Ilir Hasmuça, kirurg ortoped në Spitalin Univeristar të Traumës.

Dëmtimet që pëson i aksidentuari me monopatinë janë shumë të rënda, të cilat kërkojnë kohë të gjatë rikuperimi në rast se nuk janë fatale.

“Dëmtimet janë nga më të ndryshmet, nga të gjymtyrëve, tek dëmtimet e kokës si dhe të organeve të brendshme”, thotë Hasmuça.

Të tre të miturit ndodhen të shtruar në spitalin e Traumës dhe një prej 11-vjeçarëve ndodhet i intubuar në sallën e reanimacionit.

Deri sa shteti të ndërhyjë u kërkohet prindërve të mos lejojnë fëmijët të përdorin monopate pasi edhe nëse nuk ua keni blerë e gjejnë tek shokët duke e konsideruar edhe një mjet argëtimi.

 

Top Channel