Mbappe ngre padi kundër Paris Saint-Germain për ngacmim moral dhe tentativë shantazhi

26/06/2025 19:08

Beteja ligjore midis Kylian Mbappe dhe Paris Saint-Germain ka arritur në një nivel të ri.

Zyra e prokurorit të Parisit njoftoi të martën (24/6) se kishte hapur një hetim gjyqësor kundër individëve të paidentifikuar për ngacmim moral, pas një padie të ngritur nga superylli francez kundër kampionëve evropianë.

Dy hetues janë emëruar, sipas një burimi pranë çështjes – siç raportohet nga gazeta franceze “L’ Equipe” -, për të hetuar akuzat e sulmuesit të Real Madridit.

Rasti ka të bëjë me sezonin e tij të fundit në Paris, në vitin 2023, kur klubi dyshohet se ushtroi presion të padurueshëm mbi Mbappe për të nënshkruar një kontratë të re, madje duke e ndaluar atë të stërvitej me ekipin e parë, në një përpjekje për ta detyruar atë të rinovonte.

Mbappe paraqiti një ankesë më 16 maj për ngacmim moral dhe përpjekje shantazhi, kryesisht duke denoncuar vendosjen e tij “jashtë ekipit”.

Kjo taktikë është kritikuar rëndë në Francë, ndërsa që në janar 2024, shoqata e futbollisteve profesionale femra paraqiti një ankesë kundër individëve të panjohur, duke akuzuar klube të ndryshme për ngacmim moral dhe shantazh, duke krijuar këto taktika për të nxjerrë qëllimisht lojtare të caktuara jashtë loje, me qëllim që, sipas shoqatës, të “maksimizojnë çmimet e transferimeve”.

Siç dihet, përveç pjesës penale, Kylian Mbappe është gjithashtu në një mosmarrëveshje financiare me Paris Saint-Germain.

Megjithatë, Paris Saint-Germain është nën presion edhe nga raste të tjera të ngjashme, siç është ai i Keira Hamraoui. Ndërkombëtarja franceze u ankua gjithashtu se ishte nën presion për t’u larguar, pas një dëmtimi, me rastin e saj që tashmë po hetohet nga Njësia Speciale për Shtypjen e Krimeve kundër Personave (BRDP).

Top Channel