
Ashtu siç pritej, Donald Trump rrëmbeu të gjithë vëmendjen në samitin e NATO-s, që vazhdoi sot punimet në Hagë.
Presidenti amerikan pati një takim të veçantë me kreun e aleancës veri-atlantike, Mark Rutte, e ndonëse biseda u fokusua në çështje serioze, nuk munguan as batutat.
“Izraeli dhe Irani nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin. E kanë mbyllur. Ishte si një sherr mes dy fëmijëve në oborrin e shkollës. Luftojnë si të çmendur, nuk hyn dot mes tyre. Kështu që lëri më mirë të zihen për dy apo tre minuta, se pastaj, e ke më të lehtë t`i ndash”, tha Trump.
Dhe babai duhet të përdorë ndonjëherë një gjuhë të ashpër, ia ktheu me buzëqeshje Rutte, që është përpjekur shumë ta marrë me të mira presidentin amerikan. Trumpi e miratoi komentin e tij, dhe duke iu referuar pohimeve të një dite më parë kur tha se të dy vendet nuk e dinë se çfarë dreqin janë duke bërë, u shpreh se ka raste si këto kur duhet ta thuash një fjalë të caktuar.
Tema kryesore e samitit, ku Shqipëria përfaqesohet nga kryeministri Edi Rama, është pikërisht marrja e vendimit për shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe për armatosjen e NATO-s, që do të jenë më të mëdhatë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Deri në vitin 2035 shpenzimet për mbrojtjen pritet të arrijnë në pesë përqind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Aktualisht ato janë dy përqind.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, merr pjesë vetëm si i ftuar në takimin ku nën presionin e Trumpit, aleanca nuk pritet të ofrojë më miliarda euro ndihma për Kievin.
Për takimin e këtij viti Trump e kundërshtoi çdo përmendje të mëtejshme idesë së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, teksa pak më herët mbolli shqetësim pasi e vuri sërish në pikëpyetje përkushtimin e SHBA-së për nenin 5 dhe mbrojtjen kolektive të aleancës.
Ashtu siç bëri edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump la të kuptohej se mbështetja e tij do të varet nga ajo nëse aleatët e SHBA-së shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Top Channel