Sherri me batuta për një votë! Erion Braçe akuzon KAS për standard të dyfishtë, Braho: Bëj ankesë

25/06/2025 15:19

Një fletë votimi ku një votues kishte shfrenuar fantazinë u përdor nga socialisti Erion Braçe si argument për të akuzuar KAS-in për standard të dyfishtë.

Vendimi për të shpallur të pavlefshme këto fletë votimi në Tiranë u konsiderua nga kandidati socialist si i padrejtë, pasi vetëm pak ditë më parë, zemra e dashurisë në kuadrat ishte cilësuar nga KAS si votë e vlefshme për Partinë Socialiste.

Erion Braçe: “Përse një vullnet i shprehur me topin e Mato Grudës është konsideruar i pavlefshëm? Përse KAS këtë shenjë e quan të pavlefshme?! Pse zemra është e vlefshme dhe topi i Matos jo? Më në fund dje, një mik që arkivon, më dërgoi elektronikisht manualin e KQZ-së për votë të pavlefshme! Në asnjë nga shembujt e KQZ-së, topi i Matos nuk e bën votën të pavlefshme. SHIHINI!”.

Ankesa e kandidatit kishte mbërritur në tryezën e gjykatës së KQZ-së, ku në emër të pesë anëtarëve, për të replikuar me socialistin e revoltuar, doli Ledio Braho, i cili sarkazmës iu përgjigj me ironi.

Ledio Braho: “Mua ma dërguan postimin e zotit Braçe. Vota ishte një shënim që kishte një organ gjenital mashkullor në fletën e votimit. Partia Socialiste, siç bëri edhe disa ditë më parë kur bëri një kërkesë, mund t’i drejtohet KAS-it me një kërkesë tjetër dhe të kërkojë që çdo votë që ka një organ gjenital mashkullor apo femëror të konsiderohet nga KAS si e vlefshme, dhe ne do të shprehemi me vendim, siç u shprehëm edhe në rastin e parë”.

Votat në rinumërim po humbasin jo vetëm te të majtët, por edhe te të djathtët. Në radhët e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti konsiderohet nga KQZ si kampion i votave të padrejta. Anëtari i propozuar në KAS nga opozita kishte një përgjigje edhe për shqetësimin e doktorit kandidat.

Ledio Braho: “Kur nisi ky proces, nisi me pretendime për trafikim prej mijëra votash, kryesisht nga kandidatët – pa dashur t’i vë emrin – por duket qartë që bëhet fjalë vetëm për pretendime për “bishta kryqesh”: pra, është bishti brenda kutisë apo jashtë kutisë? Është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie? Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve, unë besoj se tani askush nuk mund ta bëjë pis procesin e numërimit”.

Praktika e vlerësimit të KAS-it ka ngjallur pakënaqësi në radhët e kandidatëve, pasi shprehja e vullnetit me metoda kreative nuk është cilësuar gjithmonë si e gabuar.

Ashtu siç ishte edhe një votë tjetër, ku në vend të “X” apo kryqit ishte shkruar fjala buf, por që u vlerësua si votë e vlefshme.

Top Channel