
Nisin me ankth e përfundojnë në psikoza apo sjellje vetëdëmtuese, problemet e shëndetit mendor tek adoleshentët, raste të të cilëve janë rritur në urgjencën e shërbimit të psikiatrisë.
Shpesh shenjat e para, të cilat janë thirrje për ndihmë, anashkalohen e nuk vlerësohen nga prindërit.
Mjekja psikiatre, Dr. Valbona Alikaj thotë: “Ne mbetemi në shifra që çdo 4 persona vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ne në urgjencë na vijnë shumë raste në rritje me tentativa apo sjellje vetëdëmtuese”.
Problemet e shëndetit mendor lidhen me shumë faktorë, ku një prej tyre konsiderohet ekspozimi i pakontrolluar në ekranet dhe rrjetet sociale.
Mjekja psikiatre për adoleshentët ndan dy momente për foshnjat dhe adoleshentët. Ajo tërheq vëmendje për prindërit që mendojnë se e kanë situatën nën kontroll pasi fëmijët janë disa hapa para tyre në teknologji dhe disa programe i kanë të koduara: “Edhe foshnjës nuk i lihet telefoni të shikojë vetë. Dhe adoleshentët, minimumi deri në 16 vjeç e maksimalisht 18 vjeç, të jenë të kontrolluar nga prindërit”.
Por mjekja psikiatre u kërkon prindërve të shikojnë edhe benefitet zhvillimore nga rrjetet sociale, edhe pse sjelljet vetëdëmtuese adoleshentët i marrin dhe i modelojnë shpesh nga TikTok-u.
Top Channel