
Një deklaratë e fortë nga Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, në ditën e 628-të të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë një konference për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump deklaroi se sulmi ajror amerikan ndaj objektivit bërthamor iranian në Fordow ishte vendimtar për mbylljen e konfliktit.
“Sulmi në Fordow i dha fund luftës. Ishte, në thelb, e njëjta gjë si Hiroshima dhe Nagasaki”, tha Trump, duke krahasuar veprimin amerikan me bombardimet bërthamore që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore në Paqësor.
Kjo deklaratë vjen menjëherë pasi Irani shpalli përfundimin e asaj që quajti “lufta 12-ditore”, duke sinjalizuar një fazë të re në krizën rajonale. Trump shtoi gjithashtu: “Tani shkojmë shumë mirë me Teheranin. Iranit nuk i intereson më pasurimi i uraniumit dhe nuk do të ndërtojë bombën për një kohë të gjatë”.
Megjithatë, situata në terren mbetet e paqartë. Ndërsa diplomacia po përpiqet të fitojë terren, Parlamenti iranian ka miratuar pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), duke shtuar pasigurinë rreth ambicieve bërthamore të Teheranit.
Krahasimi me Hiroshima-n ka ngjallur reagime të përziera në skenën ndërkombëtare, me analistët që paralajmërojnë për pasojat e retorikës së ashpër dhe nevojën për kujdes në një fazë kaq delikate të procesit të paqes.
Top Channel