Inside Story/ Dhjetëra miniera bitumi në luginë, si cënohet hapësira e parkut të Vjosës?

25/06/2025 21:50

Përveç puseve të naftës, sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, në bashkinë e Selenicës janë 13 miniera apo impiante për nxjerrjen, përpunimin e rërës, zhavorrit bituminoz, si dhe gurit gëlqeror.

Këto janë minierat e bitumit në Selenicë. Siç shihet buzë lumit janë të depozituara mbetjet, duke krijuar tarraca të shumta në breg të tij, duke ndryshuar shtratin natyror.

‘Ne kemi një lum të egër pikërisht për këto karakteristika të tij që ai të ketë një shtrat të egër të paprekur nga dora e njeriut, kur vjen puna që ai ndryshohet nga industria do të thotë që ne po e cënojmë këtë ekosistem natyror’ u shpreh Besjana Guri, aktiviste për mbrojtjen e mjedisit

Edhe për këto aktivitete minerare, plani i menaxhimit sugjeron të ndërpriten, në zbatim të Ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Po ashtu në të janë parashikuar ndërhyrje që janë jashtë parkut të mbrojtur, pasi park i mbrojtur strikt është vetëm vija ujore e lumit, gjë që për ekspertët e komplikon zbatimin e tij.

‘Në disa raste aktivitete e parashikuara janë të përgjithshme dhe kërkojnë fonde të jashtëzakonshme. Një pjesë e këtyre aktiviteteve tejkalojnë kufijtë e parkut çka për zgjidhjen e tyre duhet të kenë një bashkëpunim të mirë mes shumë institucioneve, që na mungon në Shqipëri, kërkon shumë vullnet vendimmarrës, shpesh herë politik dhe kërkon shumë para’ u shpreh Kristi Bashmilli, studiues mjedisor

‘Shumë prej këtyre aktiviteteve do të duhet të modifikohen dhe përshtaten me rregullat e parkut kombëtar. Disa prej tyre do të duhet edhe të ikin. Nuk mund të shkojë bashkë edhe industria e naftës edhe e bitumit në një park kombëtar, është mision absolutisht i mundur që miniera të disiplinohet’ u shpreh Olsi Nika, hidrolog/ ECOALBANIA

‘Nuk mund të derdhësh naftën krudo në një lum. Nuk ndodh kjo, është apo nuk është park kombëtar, do të duhet të largohet dhe plani i menaxhimit përcakton një fazë për daljen nga operimi për aktivitete të caktuara, por shumica duhet të adoptohet’ u shpreh Olsi Nika, hidrolog/ ECOALBANIA

Thembra e akilit për moszbatimin e planit të menaxhimit, i cili prej muajit shtator 2024 fle në sirtarët e ministrisë së Turizmit, duket se lidhet me ndryshimet e reja të ligjit për zonat e mbrojtura. Më konkretisht, teksa ekspertët punonin për planin e menaxhimit të Vjosës park kombëtar, një grup deputetësh socialistë inicuan dhe ndryshuan në parlament ligjin për zonat e mbrojtura. Ndryshimet prekën nenet 16 dhe 33 që ndryshe nga ligji i mëparshëm që i jepte mbrojtje strikte zonës qendrore, me ligjin e ri i hapej rruga investimeve”.

Top Channel