
Një studimi të realizuar nga “Ecoalbania”, Vjosa park kombëtar po përballet me rreth 113 hot spote të ndryshme, duke filluar nga kompanitë që marrin inerte, gurore të shumta përgjatë gjithë shtratit lumor, marrja e ujit për vaditje, ndotja nga fushat e naftës, depozitimi i mbetjeve urbane buzë lumit e deri tek derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara.
Studimi përfshiu një periudhë monitorimi që nga dhjetori 2022 deri në korrik 2024. Shumica e presioneve të identifikuara janë përfshirë edhe në planin e menaxhimit të Vjosës, i cili u miratua në shtator të vitit 2024 dhe ka një kohëzgjatje deri në vitin 2033. Por, pavarësisht miratimit, ky plan që do të shërbente për të vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e parkut, fle në sirtarë duke e zbehur entuziazmin.
Besjana Guri një ndër aktivistet e hershme për mbrojtjen e Vjosës, thotë se çështja çalon tek zbatimi.
‘Aty ku mbetet puna është zbatimi. Sa i zbatueshëm është aktualisht, mund të them zero përqind. Pasi edhe administrata që duhet ta menaxhojë parkun nuk është vënë në punë’ u shpreh Besjana Guri, aktiviste per mbrojtjen e mjedisit
Për të menaxhuar parkun Kombëtar të Vjosës në dhjetor të 2024 u miratua ngritja një zyre të veçantë, me qendër në Tepelenë. E quajtur “Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar të ‘Lumit të Vjosës’, ajo do të kishte në përbërje të saj rreth 60 persona. Por, përveç shpalljes vakante të 10 vendeve të punës, kjo zyrë aktualisht nuk ka as drejtor dhe as administratë.
Ngritja e kësaj qendre u parapri nga një konkurs ndërkombëtar madhështor, organizuar nga ministria e Turizimit. I konsideruar si një projekt që do ta çojë menaxhimin e parkut në një tjetër nivel, duke nxjerrë në pah trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme, projekti fitues u shpall ai i studios arkitekturore: CEBRA & UNO Architects.
Përtej videove bukura të shpërndara në 3D, duket se gjërat në terren nuk po ecin aspak.
Ky është vendi i parashikuar të ndërtohet qendra multifunksionale e Vjosës që do të kushtojë 440 milionë lekë.
Megjithëse leja e ndërtimit është miratuar në shtator 2024, siç edhe dëshmohet nga këto pamje, puna për ndërtimin e saj është ende shumë larg. Ajo parashikohet të ndërtohet në këtë fushë, ku ngjitur është vendgrumbvullimi i mbetjeve të Tepelenës dhe po ashtu një nënstacion elektrik, dy pengesa që dëshmojnë se duhet të presim ende derisa të nisë puna për ndërtimin. Ndërkohë që puna në terren ende nuk ka filluar, presionet që cënojnë integritetin e parkut janë të shumta.
Vetëm pak muaj para se Vjosa të shpallej park kombëtar, një projekt që prek një nga degët e mbrojtura, Shushicën, filloi të zbatohej. Bëhet fjalë për projektin e Ujësjëllësit të Himarës, që parashikon të marrë ujin direkt nga burimi në fshatin Kuç, për të furnizuar me ujë të pijshëm fshatrat e bregut. Projekti po shkon drejt finalizimit, mes kontestimeve të shumta dhe një procesi gjyqësor me banorët.
‘Nuk është zgjidhje e mençur ti marrësh lumit që e ke shpallur park të mbrojtur dhe rezervë të biosferës’ u shpreh Aleko Miho, biolog
‘Një investim i tillë nuk është pjesë e planit të menaxhimit, por në fakt ky investim lejohet nga ligji i ri. Pra kemi një investim që nuk lejohet nga parku por lejohet nga ligji…po sigurisht ligji do të prevalojë sepse ligji është i mëvonshëm dhe janë të gjithë mundësitë që plani i menaxhimit të rishikohet sipas kërkesave të ligjit të ri’ u shpreh Irena Dule, avokate /qendra “RES PUBLICA”
Top Channel