Me 36 seanca konstituive nuk arrihen as dy orë punë efektive nga deputetët e Kuvendit të Kosovës si pasojë e bllokadës në zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në kundërshtim të kësaj, organizatat e shoqërisë civile me moton “Shteti në pauzë” mbajtën një aksion simbolik para objektit të parlamentit të vendit. “A doni me shku në deti?”, “Deputetë emri juaj është bllokadë”, “Konkurs për deputetë të ri”, “Karriget janë për punë jo për pushtet”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, ishin pankartat me të cilat u shprehën pakënaqësitë e OJQ-ve me bllokadën e krijuar që nga 15 prilli.

Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë i cili po vazhdon me shfaqjen e njëjtë tragjikomike, ku çdo 48 orë deputetët mblidhen për disa minuta punë”, shprehet Eugen Cakolli.

Shoqëria civile bëri thirrje për marrëveshje politike, pasi sipas tyre as Gjykata Kushtetuese nuk do e zgjidhë ngërçin.

“As gjykata kushtetuese nuk mund ta zgjidh këtë ngërç për shkak se problemi kryesor në situatën e tanishme është mungesa e vullnetit politik dhe jo i mekanizmave procedural e ligjor”, shton ai.

Ky aksion simbolik ku mbahen përgjegjës deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë tutje.

“Do të jetë aksion i vazhdueshëm nga sot e tutje në çdo të dytën ditë siç do të vijnë edhe deputetët në kuvend edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën që është krijuar nga partitë politike”, thotë Mexhide Demolli.

Edhe të mërkurën në tentimin e 37-të dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Top Channel