
Pas ndërmjetësimit të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit, një ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve po e nominon presidentin Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes.
Kongresmeni Buddy Carter, i shkroi Komitetit të Nobelit duke argumentuar se shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte pasur një “rol të jashtëzakonshëm dhe historik” në përfundimin e “konfliktit të armatosur mes dy vendeve rivale dhe në parandalimin e sponsorizimit më të madh shtetëror të terrorizmit në botë nga krijimi i armës më vdekjeprurëse në planet”.
“Ndikimi i presidentit Trump ishte thelbësor në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë që shumë e konsideronin të pamundur.
Presidenti Trump gjithashtu ndërmori veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit, dhe për të siguruar që shteti më i madh sponsor i terrorizmit në botë të mbetet i paaftë për të siguruar një armë bërthamore”, ishte mesazhi i Carter.
Ligjvënësi nënvizoi më tej se lidershipi i Trump gjatë krizës “është shembulli i qartë i idealeve që Çmimi Nobel për Paqen kërkon të lartësojë: Kërkimin e paqes, parandalimin e luftës dhe avancimin e harmonisë ndërkombëtare.
Në një rajon të pllakosur nga armiqësia historike dhe paqëndrueshmëria politike, një përparim i tillë kërkon si guxim ashtu edhe qartësi. Trump i demonstroi të dyja, duke i ofruar botës një shkëndijë të rrallë shprese”, vazhdon mesazhi i tij.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Trump nominohet për cmimin e shumëlakmuar, të cilin megjithatë nuk e ka fituar asnjëherë.
Edhe përfaqësuesi republikan nga Kalifornuia Darrell Issa, e propozoi Trumpin për çmimin pak më herët këtë vit, duke argumentuar se fitorja e tij zgjedhore në vitin 2024 pati një “ndikim çuditërisht efektiv” në paqen në botë.
Top Channel