Zemërimi i Trump: “Armëpushimi u shkel, nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë. Netanyahu mos bombardoni”. Shpërthime në Teheran, Kina: Mbështetje Iranit

24/06/2025 18:13

Gjatë natës mes të hënës dhe të martës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit që do të hynte në fuqi në orën 6 të mëngjesit me orën shqiptare.
Rreth orës 10:30, sipas Izraelit, ndodhi një tjetër sulm iranian. Teherani e mohon.

Trump tha se si Irani, ashtu edhe Izraeli, e kanë shkelur armëpushimin dhe i kërkoi Tel Avivit të mos bombardojë. Megjithatë, avionët izraelitë goditën një objektiv dytësor në veri të Teheranit. “Nuk jam i kënaqur me atë që bëri Izraeli. Të dy nuk dinë çfarë po bëjnë”.

Kina: “Mbështetje për Iranin për një armëpushim efektiv”

Kina mbështet përpjekjet e Iranit “për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tij dhe, mbi këtë bazë, për të arritur një armëpushim efektiv me qëllim që popullsia të rifillojë jetën normale dhe të nxisë sa më shpejt qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme”. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm Wang Yi gjatë një bisede telefonike me homologun iranian Seyed Abbas Araghchi. Ky i fundit, sipas raportit të publikuar nga diplomacia kineze, e ka informuar Wang për zhvillimet më të fundit rajonale.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaron se do ta respektojë armëpushimin nëse Izraeli bën të njëjtën gjë

Një qytetar evropian arrestohet për spiunazh në Iran
Prokurori i përgjithshëm i provincës Kermanshah në Iran ka deklaruar se një qytetar evropian është arrestuar në qytetin Kermanshah, në perëndim të Iranit. Sipas agjencisë Tasnim, Hamidreza Karimi ka shtuar se personi është akuzuar për spiunazh në favor të Izraelit.

Trump: “Nuk dua ndryshim regjimi në Iran”
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se nuk dëshiron të ndjekë një politikë për ndryshim regjimi në Iran, duke thënë se kjo “do të sillte vetëm kaos”. Kështu raportoi agjencia Reuters, duke cituar deklaratat e tij gjatë udhëtimit me avionin presidencial Air Force One për në samitin e NATO-s.
“Irani nuk do të ketë një armë bërthamore”, theksoi Trump për gazetarët. Ai gjithashtu zbuloi se lideri i Kremlinit, Vladimir Putin, e kishte telefonuar për t’i ofruar ndihmë në menaxhimin e çështjes iraniane.

Trump, “më i zhgënjyer” me Izraelin: “Nuk po veprojnë me sinqeritet”
“Më i zhgënjyer” me Izraelin sesa me Iranin për shkeljet e armëpushimit. Kështu është shprehur Donald Trump në një intervistë me drejtuesin e Fox & Friends, Lawrence Jones, i cili e pyeti pse ishte i zhgënjyer. “Dhe ai m’u përgjigj – tha Jones – se Izraeli nuk i dukej se po vepronte me sinqeritet”.

IDF: Viktimat në Beersheva ishin brenda dhomave të sigurisë
Sipas hetimeve paraprake të Komandës së Frontit të Brendshëm të Ushtrisë izraelite (IDF), raketa balistike e lëshuar nga Irani që goditi katin e gjashtë të një ndërtese banimi në Beersheva goditi drejtpërdrejt dy dhoma të sigurta, duke vrarë personat brenda tyre. Tre anëtarë të një familjeje u vranë në një prej dhomave, ndërsa viktima e katërt në dhomën tjetër të blinduar. Dhomat e përforcuara janë ndërtuar për t’i bërë ballë valëve goditëse dhe copëzave nga raketat, por jo një goditjeje të drejtpërdrejtë me një kokë të madhe shpërthyese. Numri i viktimave është të paktën 9.

Izraeli: “Asnjë sulm pas bisedës me Trump”
Pas bisedës ndërmjet presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Izraeli është përmbajtur nga sulme të mëtejshme kundër Iranit. Kjo është bërë e ditur nga zyra për shtyp e Netanyahu-t. “Armëpushimi ishte planifikuar për në orën 07:00 të mëngjesit. Në orën 03:00 të mëngjesit, Izraeli kreu një sulm të fuqishëm në zemër të Teheranit, duke goditur objektiva të regjimit dhe duke vrarë qindra pjesëtarë të Basij – forca paramilitare e Gardës Revolucionare – dhe të forcave të sigurisë iraniane. Pak para hyrjes në fuqi të armëpushimit, Irani kreu një sulm”, thuhet në njoftim.
Zyra e Netanyahu-t vazhdon: “Në orën 07:06 Irani lëshoi një raketë drejt Izraelit dhe në orën 10:25 dy të tjera. Në përgjigje, Forcat Ajrore shkatërruan një radar pranë Teheranit”.

Gaza, 79 të vdekur nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 79 viktima palestineze nga sulmet ajrore izraelite. Këtë e raporton Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi. E raporton edhe Al Jazeera.

Goditet një radar i vjetër në veri të Teheranit
IDF konfirmon se ka goditur një radar të vjetër në veri të Teheranit si përgjigje ndaj sulmeve iraniane të mëngjesit. Bëhet fjalë për një sulm “simbolik” të kërkuar nga Netanyahu dhe të diskutuar në telefon me Trump.

Mediat: Bisedë mes Trump dhe Netanyahu, Izraeli do e kufizojë sulmin në vetëm një objektiv
Sipas gazetarit të Axios, Barak Ravid, i cili citon një burim izraelit, gjatë bisedës telefonike midis Benjamin Netanyahut dhe Donald Trump, kryeministri izraelit ka deklaruar se nuk mund të anulonte sulmin dhe se ishte e nevojshme një përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga ana e Teheranit. Në fund, të dy liderët kanë rënë dakord të ulin ndjeshëm përmasat e ofensivës, duke e kufizuar në një goditje të vetme ndaj një objektivi.

Trump në Truth: “Avionët izraelitë do kthehen pas. Armëpushimi është në fuqi”
“Izraeli nuk do të sulmojë Iranin – ka shkruar Donald Trump në profilin e tij Truth. – Të gjithë avionët do të kthehen pas. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi!”. Megjithatë, qëndrimi i Jerusalemit është të vazhdojë me një sulm simbolik pas shkeljes së armëpushimit nga Irani mëngjesin e sotëm.

Trump i drejtohet Izraelit: “Mos hidhni bomba, do ishte një shkelje e rëndë”
“Izrael. Mos i hidhni ato bomba. Nëse e bëni, është një shkelje e rëndë. Ktheni pilotët në shtëpi, menjëherë!”. Këtë e shkruan në Truth presidenti amerikan Donald Trump.

Trump: “Si Izraeli, edhe Irani e kanë shkelur armëpushimin”
Presidenti Donald Trump thotë se Izraeli dhe Irani kanë shkelur termat e armëpushimit me sulme, pavarësisht afatit të martës për ndërprerjen e armiqësive. Trump, në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë para nisjes për samitin e NATO-s në Hagë, shprehu zhgënjimin për sulmet e vazhdueshme. “E shkelën, por edhe Izraeli e shkeli atë”, tha Trump. Dhe shtoi: “Nuk jam i kënaqur me Izraelin. Ktheji pilotët në shtëpi. Tani!”.

UNRWA: Shpërndarja e ndihmave në Gaza është “një turp”
Shpërndarja aktuale e ndihmave humanitare në Gaza po krijon “një turp” dhe situata kaotike. Këtë e denoncoi Philippe Lazzarini, kreu i Agjencisë së OKB për Ndihmën dhe Punësimin e Refugjatëve Palestinezë (UNRWA), gjatë një konference për shtyp në Berlin. “Mekanizmi i ashtuquajtur i ndihmave, i krijuar së fundmi, është një turp që poshtëron dhe degradon njerëz të dëshpëruar. Është një kurth vdekjeprurës, që kushton më shumë jetë sesa shpëton”, tha Lazzarini, duke iu referuar organizimit të mbështetur nga Izraeli dhe SHBA. Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) ka marrë së fundmi drejtimin e shpërndarjes së ndihmave nga organizata të tjera ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. Sipas bilanceve të përbashkëta, qindra civilë palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit teksa prisnin të merrnin ndihma humanitare nga GHF – një skenar që përsëritet pothuajse çdo ditë prej javësh.

Irani: Izraeli ka sulmuar pas shpalljes së armëpushimit
Irani akuzon Izraelin se ka kryer sulme pas njoftimit të armëpushimit. Këtë e raporton televizioni shtetëror iranian.

Meloni: “Mund të ketë ndarje brenda Iranit, jemi ende optimistë për armëpushimin”
“Skenari i mëngjesit shkoi në drejtimin që shpresonim, por tani situata është ndërlikuar sërish”, pasi “nga ana iraniane është shkelur armëpushimi. Izraeli mund të përgjigjet me një reagim që shpresohet të jetë i matur dhe i barabartë. Megjithatë, pas shkeljes, Irani ka konfirmuar vullnetin për armëpushim, dhe kjo mund të lexohet si një ndarje brenda skenarit iranian që duhet marrë parasysh”.
“Situata është ende shumë komplekse, por ende jemi të bindur se mund të ecet përpara me një armëpushim dhe se mund të kthehemi te negociatat”. Kështu tha kryeministrja Giorgia Meloni në përgjigjen e saj në Senat.

AIEA kërkon takim me Iranin për rifillimin e bashkëpunimit

Kreu i agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, njoftoi se i ka shkruar ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi për të propozuar një takim dhe për të nxitur bashkëpunimin, pas shpalljes së një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit.

“Sapo i çova kolegët e tu në ferr, dorëzohu”: Telefonata kërcënuese e Mossad-it ndaj gjeneralëve të Teheranit

“Washington Post” ka publikuar ekskluzivisht një telefonatë kërcënuese të bërë nga Mossad-i ndaj disa gjeneralëve iranianë. Aty u kërkohet të shkëputen nga regjimi përmes një videoje që më pas do të publikohej. “Po të telefonoj nga vendi që para dy orësh çoi në ferr njëri pas tjetrit Bagheri, Salami, Shamkani”, i thotë agjenti në telefon. “Ke 12 orë kohë për të regjistruar një video dhe për të u shkëputur nga regjimi, atëherë do jesh i sigurt me gjithë familjen”. Dhe në fund, mbyllja kërcënuese e telefonatës:
“Ne jemi më afër teje se vena që ke në qafë. Mbaje mend këtë. Zoti të mbrojtë”. Operacioni i inteligjencës ka nisur menjëherë pas sulmeve të para të Izraelit ndaj Iranit. Nuk është e qartë nëse gjenerali e ka regjistruar videon, por ka konfirmime që është ende gjallë.

Irani: Po punojmë për të rikthyer programin bërthamor

Kreu i Organizatës për Energjinë Atomike të Iranit (AEOI), Mohammad Eslami, deklaroi se Teherani kishte planifikuar që para sulmeve rikthimin e industrisë bërthamore të vendit pas sulmeve të kryera nga Izraeli dhe SHBA. Lajmi raportohet nga agjencia e lajmeve Mehr. “Plani synon të parandalojë ndërprerjet në procesin e prodhimit dhe shërbimeve”, tha Eslami, sipas Mehr, citon portali i opozitës iraniane “Iran International”, me qendër jashtë vendit.

Moska: Lajmet për armëpushimin Izrael-Iran janë të paqarta

Situata për një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit nuk është ende e qartë dhe nuk dihet nëse do të zgjasë, por Rusia do ta mirëpriste. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas agjencisë Interfax.

Irani mohon shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit

Irani ka mohuar të ketë lëshuar raketa ndaj Izraelit pas shpalljes së armëpushimit mes dy vendeve, raportojnë mediat shtetërore iraniane. “Lajmi për lëshimin e raketave nga Irani drejt territoreve të pushtuara pas armëpushimit është i rremë”, thuhet në raport. Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kishte urdhëruar IDF të përgjigjej ashpër ndaj shkeljeve nga Irani dhe të godiste objektiva në Teheran. Mediat izraelite kishin raportuar se ushtria kishte ndërprerë dy raketa balistike të lëshuara nga Irani.

Katz: “Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj shkeljes së armëpushimit”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ka “dhënë udhëzime për forcat izraelite (IDF) që të përgjigjen me forcë ndaj shkeljes së armëpushimit nga Irani me sulme të fuqishme ndaj objektivave të regjimit në zemër të Teheranit”.
Këtë e raporton gazeta izraelite “Haaretz”, pas shpalljes nga Donald Trump të një armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit – një “propozim” që Izraeli kishte thënë se e kishte pranuar.
“Duke pasur parasysh shkeljen e plotë nga Irani të armëpushimit të shpallur nga presidenti amerikan dhe lëshimin e raketave në drejtim të Izraelit – thuhet në deklaratën e përcjellë nga gazeta – në përputhje me politikën e qeverisë izraelite, e vendosur për të reaguar me forcë ndaj çdo shkeljeje, kam dhënë udhëzime për IDF, në koordinim me kryeministrin, për të vazhduar aktivitetin intensiv të sulmit”.

Alarmi për raketa në veri të Izraelit është anuluar, sirenat ishin aktivizuar

Është anuluar alarmi në veri të Izraelit, pasi sirenat u aktivizuan pas një dyshimi për lëshim raketash nga Irani.
“Pas një vlerësimi të situatës, Komanda e Frontit të Brendshëm njoftoi se tani është e lejuar të largoheni nga zonat e mbrojtura në veri të Izraelit”, thuhet në një deklaratë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, të cilat më herët kishin pohuar se kishin zbuluar raketa të lëshuara nga Irani, pavarësisht aktivizimit të një armëpushimi mëngjesin e sotëm.

Top Channel