
Aplikimi për regjistrimin e fëmijëve në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit është shtyrë deri me 30 qershor.
Procesi do të vijojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve fizikisht dhe jo me on line për shkak të sulmit kibernetik që iu bë pak ditë më parë Bashkisë së Tiranës.
Një video e shpërndarë nga “Homeland Justice” në Telegram disa ditë më parë, tregoi për hakerimin e serverave të bashkisë së Tiranës.
Në videon e shoqëruar me pamje të bashkisë së kryeqytetit, thuhej se shërbimet e bashkisë së Tiranës kanë rënë.
“Ju kishim paralajmëruar që të dëbonit terroristët e MEK nga Shqipëria, por ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm..”
Po ashtu ne chat-in online u shpërndanë foto të faqes zyrtare të bashkisë Tiranë para dhe pas hakerimit. Në një tjetër mesazh, hakerat shkruanin se: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”
Top Channel