“Sulm i dobët, tani dua paqe”, Trump pas raketave drejt bazës amerikane në Katar: Falënderoj Iranin që na njoftoi më parë, tani të nisim negociatat

24/06/2025 07:07

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas sulmeve iraniane ndaj bazave ushtarake të SHBA-së në Katar.

Ai ka shkruar në Truth Social se nga sulmet s’ka pasur as të vrarë e as të plagosur. Trump e falënderoi udhëheqësin e lartë të Katarit “për gjithçka që ka bërë në kërkimin e paqes për rajonin”.

“Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa, 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim. Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme”, ka deklaruar Trump fillimisht.

Më pas ai ka lënë të hapur një dritare për negociata duke e falënderuar Iranin që i njoftoi për sulmet.

“Duket se ata e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen. Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë”, ka përfunduar Trump.

Top Channel