Murtaja e bagëtive në Gjirokastër/ Sëmundja virale u shfaq në një fermë në Libohovë, karantinohet tufa

24/06/2025 15:23

Në qarkun e Gjirokastrës, një ndër territoret më të rëndësishme blegtorale në vend, është konfirmuar vatra e parë e murtajës së ruminantëve të vegjël, një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë.

Rasti është identifikuar në një fermë në qytetin e Libohovës, ku autoritetet veterinare kanë reaguar duke e izoluar dhe karantinuar tufën.

Flora Zharkalli, përgjegjëse e sektorit veterinar në qark, tha se rasti është zyrtarisht i konfirmuar nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në Tiranë.

“Ne kemi nga përgjigjet e laboratorit të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare Tiranë një rast të konfirmuar pozitiv në Bashkinë Libohovë, në qytetin Libohovë. Sapo morëm njoftimin e menjëhershëm, ishte dita e shtunë, ora 16:30, grupi i punës i përbërë nga tre persona shkuam në fermë dhe kontaktuam pronarin për t’i bërë të ditur rezultatin e analizës dhe për të marrë masat urgjente, e cila konsiston në izolimin e tufës dhe në bllokimin e lëvizjes”, shprehet Zharkalli.

Qarku i Gjirokastrës, një ndër zonat kryesore blegtorale në vend me rreth 4.5% të numrit kombëtar të deleve dhe dhive, është përballur për herë të parë me murtajën e ruminantëve të vegjël.

Pas konfirmimit të parë të sëmundjes në Shqipëri në fillim të qershorit në qarkun e Shkodrës, identifikimi i një vatre të re në Libohovë ka shtuar ndjeshëm shqetësimin për përhapje, veçanërisht për shkak të lëvizjes së kafshëve dhe kontaktit të shpeshtë mes tufave në këtë zonë.

“Momentalisht ndodhen 256 krerë, nga të cilat 230 janë të leshta, pjesa tjetër janë të dhirta. Ajo që konstatojmë nga monitorimet e përditshme për t’u theksuar është që ferma nuk ka temperaturë kafsha, nuk ka shenja klinike të shfaqjes së sëmundjes dhe nuk ka ngordhshmëri në fermë. Prandaj ne e monitorojmë çdo ditë sepse ajo mund të jetë edhe në formën subklinike dhe do ta monitorojmë të paktën 10 ditë”, shton Zharkalli.

Sipas ekspertëve, edhe pse murtaja e ruminantëve të vegjël nuk përbën rrezik për njerëzit, ajo mbetet një kërcënim serioz për sektorin blegtoral, për shkak të përhapjes së shpejtë dhe dëmeve të mëdha ekonomike që mund të shkaktojë.

Në këtë fazë, autoritetet po zbatojnë protokollin e plotë të kontrollit dhe izolimit, ndërsa bëjnë apel për bashkëpunim nga blegtorët dhe komuniteti lokal.

Top Channel