“Lëkundje të parrezikshme”/ Sizmiologët shpjegojnë tërmetin që u ndje këtë mëngjes në Tiranë

24/06/2025 15:28

Shqiptarët u zgjuan në orët e para të mëngjesit pasi ndjenë një tërmet me magnitudë 4.4 ballë, me epiqendër në Fushë-Krujë.

Lëkundjet më së shumti u ndjenë në Shqipërinë e mesme dhe vatra është lokalizuar në Nikël. Ndërsa sizmiologët sqarojnë se nuk ka vend për panik dhe se aktiviteti sizmik vlerësohet i moderuar.

Sizmiologu Edmond Dushi shpjegon: “Është një tërmet i regjistruar në shkallë të moderuar. Vjen pas dhjetëra pasgoditjesh. Dhe kjo zonë, që prej janarit, është dalluar për aktivitet sizmik. Por është aktivitet normal”.

Instituti i Gjeoshkencave njofton se është në monitorim të vazhdueshëm të aktivitetit sizmik.

Duke drejtuar thirrjen për të mos përhapur alarm, por të informohen saktë nga profesionistët, sizmiologët kategorikisht kundërshtojnë krahasimet me intensitetin e tërmetit të 2019.

Top Channel