Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme po bën përgatitjet për strehimin e 50 personave të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazuar në vendimin e 11 qershorit që mori ekzekutivi.

“Ministria e Punëve të Brendshme po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që procesi i pritjes, akomodimit dhe ofrimit të mbrojtjes së përkohshme në përgjithësi, që derivon nga vendimi i 11 qershorit, të realizohet pa pengesa”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Si shembull, qeveria merr rastet e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme, siç ka qenë rasti në vitin 2021 me shtetasit afganë, sipas bashkëpunimit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe rasti me strehimin e shtetasve ukrainas.

Tutje, ekzekutivi njoftoi se përzgjedhja e personave që do të strehojë Kosova do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet amerikane, duke pasur parasysh sigurinë kombëtare.

“Identifikimi dhe përzgjedhja e personave do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhënia e mbrojtjes së përkohshme do të bëhet në pajtim me legjislacionin përkatës për azilin. Rrjedhimisht, përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Institucionet tona do të vazhdojnë bashkëpunimin me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo mbrojtje e ofruar nga Republika e Kosovës të realizohet pa pengesa dhe në koordinim të vazhdueshëm”, bëhet e ditur nga Qeveria.

Po ashtu sqarohet se “Ministria e Punëve të Brendshme do të merret ndaras me rastet individuale, megjithatë, bazuar në ligjet në fuqi, kohëzgjatja e mbrojtjes së përkohshme është një (1) vit, me vlerësimin e vazhdueshëm të rrethanave në vendin e origjinës, duke përfshirë edhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për kthimin vullnetar të personave përkatës”.

Ndërkohë që, bazuar në legjislacionin në fuqi, personave që janë në mbrojtje të përkohshme, Kosova do t’u ofrojë kushte themelore për jetesë, që përfshin strehim, akomodim, ushqim, veshmbathje dhe pakot higjienike, si dhe qasje në kujdes shëndetësor, që përfshin kujdesin emergjent shëndetësor dhe trajtimin e sëmundjeve.

Derisa, Qeveria shpreh mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleat i palëkundur dhe shton se Kosova do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre.

Top Channel