
Izraelitët në Tel Aviv përcjellin shpresë për qëndrueshmërinë e armëpushimit, edhe pse mbeten skeptikë lidhur me perspektivën e pushimzjarrit me Iranin të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, të cilin Izraeli e pranoi pas 12 ditësh lufte me armikun e vet të betuar.
“Shpresoj shumë që do të funksionojë. Të gjithë shpresojnë që kjo të ndodhë. Por nuk besoj shumë në njoftime. Dua t`i shoh gjërat të ndodhin vërtet. Shoh të flitet shumë nga ana e qeverisë time, por nuk e kanë vërtet shtysën për të bërë paqe. Për fat të keq, nuk e shoh këtë gjë të mbarojë”, shprehet Iftah, banor i Tel Avivit.
“Shpresoj shumë që ky konflikt të mbyllet, e shpresoj vërtet. Jam shumë e lodhur. Të gjithë janë të lodhur. Duam vetëm të kemi pak qetësi shpirtërore. Kjo është ajo që mund të them. Shpresoj për ne, shpresoj për popullin iranian, për palestinezët, për të gjithë në rajon. Për të gjitha qeniet njerëzore. Njerëzit duan vetëm të jetojnë mirë. Nuk ka rëndësi nëse je arab, mysliman, hebre, palestinez, në Gaza. Shiko pasojat. A ia vlen? Nuk mendoj kështu. Dhuna sjell vetëm më shumë dhunë”, thotë Tammy Shelm, banore e Tel Avivit.
Në një postim në X, ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi më herët se Teherani “nuk ka ndërmend” të vazhdojë përgjigjen e tij ndaj Izraelit – me kushtin që ky i fundit “të ndalojë agresionin e tij të paligjshëm kundër popullit iranian”. Pas kësaj mbërriti dhe konfirmimi i zyrës së Benjamin Netanyahut për pajtim me pushim zjarrin.
Të gjitha këto lëvizje erdhën pas sulmit Iranian me raketa ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar, i cili në fakt rezultoi të ishte akt tejet simbolik, i kalibruar me kujdes për të dërguar një mesazh vendosmërie nga ana e Republikës Islamike, por edhe për të shmangur në të njëjtën kohë një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.
Top Channel