“Gjermania do të rifitojë forcën ushtarake dhe ekonomike”/ Kancelari Merz jep mesazhin e fortë në Bundestag: S’ka më kohë për pritje

24/06/2025 13:36

Dita e Politikës së Jashtme në Bundestag u shënua sot nga një deklaratë e fuqishme e Kancelarit gjerman Friedrich Merz (CDU), i cili në mesditë mbajti një fjalim përballë ligjvënësve, duke adresuar çështje kyçe si lufta në Ukrainë, kriza në Lindjen e Mesme dhe angazhimet e Gjermanisë në NATO.

Mesazhi qendror i kancelarit ishte i qartë: Gjermania qëndron fort përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Por paralelisht, Merz theksoi nevojën urgjente që vendi të rifitojë forcën e tij ushtarake dhe ekonomike.

“Javët e fundit kanë qenë javë krize, trazirash dhe dhune në shumë pjesë të botës – në Ukrainë, Iran, Izrael dhe Gaza,” tha Merz, duke shtuar se nuk ka gjasa që situata globale të stabilizohet së shpejti.

“Por ne mund të ndikojmë në atë se si duket ky ‘normalitet i ri’ – të sigurohemi që, të paktën për ne, ai të shoqërohet me liri, mirëqenie dhe paqe.”

Kancelari theksoi se e gjithë qeveria federale është e përkushtuar ndaj këtij objektivi me të gjitha kapacitetet e saj.

Merz deklaroi se pavarësisht sfidave, ai ndjehet disi optimist, sepse krizat e fundit kanë treguar se Gjermania është në gjendje të përballet me to.

Sipas tij, ky kapacitet varet nga forca e vendit “nga brenda dhe nga jashtë” – një shoqëri e bashkuar, një ekonomi konkurruese dhe një klimë që nxit inovacionin dhe rritjen.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kancelari bëri një paralajmërim të qartë: “Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në javët, muajt dhe vitet e ardhshme për të garantuar që Gjermania të rifitojë forcën e saj, si brenda ashtu edhe jashtë.”

Ky do të jetë, sipas Merz, parimi udhëheqës i Gjermanisë në samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë dhe në Këshillin Evropian në Bruksel.

Top Channel