“Do të fus djalin në punë si inspektor në Fier”/ Premtoi punësim kundrejt parave, dënohet Dritan Lleshi

24/06/2025 15:32

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 8 muaj burg Dritan Leshin.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se ndaj Lleshit rëndojnë akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Dritan Lleshi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 14.05.2021)”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundimtë gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 46, datë 24.06.2025 vendosi: • Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Lleshi, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal, (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, datë 14.05.2021) dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim. • Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Dritan Lleshi me 8 (tetë) muaj burgim.

• Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal, si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Dritan Lleshi do të fillojë të llogaritet nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe do të kryhet në një nga Institucionetpër të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

• Në lidhje me provat materiale Aparati telefonik celular i markës “Samsung Galaxy J3 Eclipse”, me ngjyrë të zezë, me IMEI ****, t’i kthehet shtetasit A.N, konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale.

• Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në masën 40060 (dyzet mijë e gjashtëdhjetë) lekë, të seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i ngarkohen të pandehurit, në bazë të neneve 393/1 dhe 406/4 të K.Pr.Penale.

• Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Top Channel