Prezantohet portali e-Legjislacioni, Spiropali: Rritje e transparencës, digjitalizim të arkivës parlamentare

23/06/2025 12:17

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë këtë të hënë në ceremoninë e prezantimit të portalit e-Legjislacioni.

e-Legjislacioni nuk është vetëm një portal, por një hap i ri për të afruar qytetarët me Kuvendin, për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe për të vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë, u shpreh Spiropali.

“Në një kohë kur bota përballet me sfida të mëdha të digjitalizimit, të transparencës dhe të përfshirjes qytetare në vendimmarrje, Shqipëria ka zgjedhur të jetë në anën e duhur të zhvillimit dhe Kuvendi i përgjigjet kësaj tendence të kohës”, theksoi kryeparlamentarja.

Spiropali: Është kënaqësi për mua të jemi sot së bashku, dëshmitarë të një progresi domethënës në modernizimin e shërbimeve parlamentare të Kuvendit, lançimin e portalit E-Legjislacioni.

Në një kohë kur bota përballet me sfida të mëdha të digjitalizimit, të transparencës dhe të përfshirjes qytetare në vendimmarrje, Shqipëria ka zgjedhur të jetë në anën e duhur të zhvillimit dhe Kuvendi i përgjigjet kësaj tendence të kohës.

Me këtë platformë, ne hapim një kapitull të ri për mënyrën se si hartojmë, diskutojmë dhe miratojmë ligjet. Kemi ndërtuar një mjet për modernizimin dhe digjitalizimin e procesit më të rëndësishëm parlamentar, ligjbërjes, si një kontribut për avancimin e transformimit demokratik të shoqërisë.

Nuk po miratojmë thjesht përdorimin e një teknologjie të re, por një cilësi të re të procesit legjislativ.

E nënvizoj këtë sepse E-Legjislacioni është më tepër se një program kompjuterik.

Është zbatimi i një vizioni të ri për një proces ligjvënës më cilësor, më efektiv, më të hapur, më të aksesueshëm nga publiku dhe më të besueshëm.

Po hedhim një hap të ri për të afruar qytetarët me Kuvendin, për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe për të vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë.

Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi akte ligjore të konsoliduara, që përmbajnë të gjitha ndryshimet ndër vite, në një version të vetëm e me qasje për të gjithë.

Kjo do të mbështetet nga një proces i avancuar kërkimor, përmes metadatave të shënjuara sipas standardeve më të sofistikuara ndërkombëtare për hartimin e dokumenteve ligjore.

Ndërlidhja institucionale ndërmjet Qeverisë, Kuvendit, Presidencës,, Qendrës së Publikimit të Fletoreve Zyrtare dhe institucioneve të tjera do të sigurojnë transferim uniform dhe të sigurtë të dokumenteve.

Përveç të tjerash, ky proces do të mundësojë një rritje cilësore të transparencës, duke u krijuar mundësi qytetarëve, grupeve të interesit, vëzhguesve të jetës parlamentare, medias dhe studiuesve të ndjekin historikun e plotë të hartimit të një akti ligjor, që nga propozimi i tij, diskutimet, amendimet, deri në formën përfundimtare, e cila votohet në Kuvend.

Prandaj portali që lançojmë sot nuk është thjesht një mjet teknologjik, por një ndryshim thelbësor në mënyrën se si hartohet, diskutohet dhe miratohet legjislacioni në Shqipëri. Përmes këtij sistemi të ri, procesi ligjvënës përveçse më transparent, bëhet edhe më gjithëpërfshirës.

Në thelb, E-Legjislacioni, si një sinergji mes digjitalizimit dhe demokratizimit, është një ftesë për pjesëmarrje, pasi qytetari i informuar, i përfshirë dhe kontribues është baza e një demokracie funksionale.

Kjo platformë, përves aksesit informues, u jep mundësinë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, grupeve të inmteresit, ekspertëve dhe aktorëve të tjerë të ndjekin dhe kontribuojnë në procesin legjislativ, nga faza e hartimit e deri në miratimin në Kuvend.

Është kjo një mënyrë për të ndërtuar besim dhe për t’i thënë qytetarëve: “Ne jemi këtu, po ju dëgjojmë! Dhe nuk po ju dëgjojmë për çështje dytësore, por thelbësore, për hartimin e ligjeve.”

Në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin e përshpejtuar në Bashkimin Evropian, përputhshmëria me standardet më të mira ligjore dhe të qeverisjes së hapur është më prioritare se kurrë.

Prandaj portali E-Legjislacioni është një shembull konkret i përkushtimit tonë për të ndërtuar institucione më efikase, më të hapura dhe më të afërta me qytetarin.

Është një provë se Kuvendi jep shembullin e modernizimit të proceseve të funksionimit të tij, në koherencë me proceset dhe procedurat e parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Portali është një përballje direkte dhe konkrete me sfidën e shndërrimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë në një parlamentet me standartet e parlamentit të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Kjo platformë është ndërtuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, financuar nga Qeveria e Zvicrës, si dhe me përkushtimin e stafit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka qenë promotori dhe zbatuesi kryesor i këtij projekti.

Vlerësoj si shumë të rëndësishëm në këtë proces mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me Parlamentin Europian, duke u nisur nga fakti qe standarti i zbatuar ne procesin e e-Legjislacioni nga Kuvendi i Shqiperise bazohet në të njëjtin standard.

Kuvendi ka ndërtuar një bashkëpunim te ngushtë dhe strategjik edhe me Senatin italian gjate hartimit të platformës E- legislation.

Po ashtu, dëshiroj të përmend bashkepunimin me parlamentin e Skocisë për transparencën dhe gjithëpërfshirjen e publikut në proceset parlamentare.

Nuk jam tekniciene, por për hir të rëndësisë që kanë për funksionimin e tij, më lejoni të nënvizoj edhe disa aspekte teknike të Portalit, ndër të cilat:

Adoptimi i standardeve teknike që e vendosin Shqipërinë përkrah parlamenteve më të avancuara të Evropës.
Digjitalizimi i arkivës parlamentare.

Trajnimi i stafit të Kuvendit, përfshirë juristët, IT-në dhe Arkivën, për përdorimin praktik të platformës përmes editorit Lime.

Ngritja e strukturës së Superuser-ëve, që ka tashmë eksperiencë konkrete në përpunimin e ligjeve me këtë sistem.

Popullimi i databazës me ligjet e viteve të fundit dhe vijimi i punës për ta përditësuar në mënyrë të qëndrueshme.

Ky proces nuk ka qenë i lehtë. Ka kërkuar ristrukturim, koordinim të brendshëm dhe ndër-institucional, dhe mbi të gjitha, vizion afatgjatë.

Për të gjitha këto përpjekje, falenderoj të gjithëve ju që keni kontribuar në këtë proces dhe keni krijuar këtë produkt.

Fal edhe përdorimit të inteligjencës artificiale, sistemi ynë i ri do të:

Garantojë akses të lehtë dhe në kohë reale në ligjet dhe aktet në formë të konsoliduar;

Ofrojë kërkim të avancuar dhe ndërveprim ndërmjet institucioneve;

Shfaqë në mënyrë vizuale çdo ndryshim ligjor ndër vite;

Sigurojë gjurmueshmëri dhe historik të plotë të çdo akti ligjor;

Mundësojë publikun, profesionistët, studiuesit dhe gazetarët të kenë një bazë të unifikuar të dhënash ligjore të standardizuar, të qartë dhe të hapur.

Gjatë kësaj kohe, në kuadrin e përgatitjeve për këtë Portal, janë trajnuar dhjetëra ekspertë ligjorë dhe IT, janë përpunuar dhe hedhur në databazë aktet ligjore të viteve të fundit, po digjitalizohen arkivat e Kuvendit për t’i bërë të aksesueshme për publikun, janë ngritur strukturat e reja dhe është garantuar ndërveprueshmëria me sistemet e qeverisë dhe institucioneve të tjera.

Me këtë platformë të re, ne i themi lamtumirë një procesi të fragmentuar dhe të mbyllur. Kuvendi dhe Qeveria do të flasin në të njëjtën gjuhë teknologjike, përmes një sistemi të përbashkët, të sigurt dhe të standardizuar dhe qytetarët kanë një pozicion më influencues në politikëbërje.

Por ky është vetëm fillimi. Platforma do të vijojë të përmirësohet, të zhvillohet dhe të përshtatet sipas nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve dhe institucioneve.

Prandaj, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, jo vetëm si përdorues e përfitues, por edhe si kontribues në përmirësimin e vazhdueshëm të tij.

Na pret një punë e madhe për të populluar më tej bazën e të dhënave, për të ndërthurur sistemet, për të edukuar publikun, për të ndërtuar një kulturë të re ligjvënëse, digjitale, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Sot, kemi hedhur themelet. Nesër, ndërtojmë më lart, me bashkëpunim, profesionalizëm dhe me besim të plotë se edhe në këtë fushë, si në shumë të tjera, Shqipëria mund të jetë një model për rajonin dhe më gjerë.

Falënderoj të gjithë ata që kontribuan në zhvillimin e këtij projekti, ekspertët ligjorë e teknikë, partnerët ndërkombëtarë, që me mbështetjen e tyre të vazhdueshme na kanë ndihmuar të ndërtojmë këtë instrument bashkëkohor.

Le të ecim përpara me besim dhe vendosmëri drejt një Kuvendi, shteti e shoqërie më transparente, më efikase dhe më demokratike.

Top Channel