Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, është në Moskë, në pritje të zhvillojë bisedime kritike me Presidentin Vladimir Putin vetëm 48 orë pas sulmit madhor amerikan ndaj objekteve kryesore bërthamore të Iranit.

Izraeli nisi sulme ajrore ndaj programit ushtarak dhe bërthamor të Republikës Islamike në fillim të këtij muaji, dhe Teherani është përgjigjur me breshëritë e veta të raketave dhe dronëve.

Dhjetëra civilë janë vrarë në të dy vendet që nga fillimi i përballjes ajrore. Por teksa Moska  i ka dënuar sulmet izraelite dhe amerikane, ajo nuk i ka ofruar ndihmë ushtarake Teheranit dhe i ka minimizuar angazhimet e saj sipas një marrëveshjeje partneriteti strategjik të nënshkruar me Iranin në fillim të këtij viti.

Në këtë situatë të re të rrezikshme… konsultimet tona me Rusinë sigurisht që mund të jenë me rëndësi të madhe“, u citua të thoshte Araghchi për median shtetërore ruse pas mbërritjes së tij në Moskë. Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA e Iranit raportoi të dielën se Araghchi do të takohej me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë për të diskutuar “zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare pas agresionit ushtarak nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist kundër Iranit”.

Fillimisht, Putini pati hedhur idene e ndërmjetësimit në këtë konflikt, por të premten, ai u duk se u tërhoq nga këto përpjekje, duke thënë se thjesht po “sugjeronte një ide” pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e hodhi poshtë rolin e Kremlinit në zgjidhjen e krizës.

Top Channel