Khamenei po fshihet në bunker/ Mungesa e udhëheqësit trondit Iranin, asnjë gjurmë nga 86-vjeçari 

23/06/2025 14:06

Me një zë të qetë përpara një turme besimtarësh, udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei bëri një deklaratë.

“Jeta ime nuk ka asnjë domethënie. Edhe nëse më vrasin, mos e konsideroni një humbje, përderisa qëndroni të përkushtuar ndaj parimeve të Imam Husseinit. Po e fitojmë këtë luftë për aq kohë sa nuk i nënshtrohemi forcës dhe lakmisë”, deklaroi ai.

Kjo video, e cila është shpërndarë gjerësisht nga përkrahësit e rrallë të regjimit, paraqitet si dëshmi e guximit të liderit 86-vjeçar. Por opozitarët kanë reaguar menjëherë në rrjete sociale, me komente që variojnë nga ironia deri tek zemërimi i hapur.

“Është aq heroik sa as të vetët nuk dinë ku ndodhet”, shkruan një vajzë.

“I fshehur nën tokë si krimbat, ndërkohë që populli bombardohet dhe nuk ka strehë nga vdekja”, shton një burrë.

Prej katër ditësh nuk ka asnjë gjurmë të Khameneit. Dihet vetëm se ai ndodhet në një bunker sekret bashkë me familjen, pa përdorur asnjë pajisje elektronike për të mos u lokalizuar nga armiqtë.

New York Times raporton se ai ka ndaluar çdo komunikim elektronik dhe udhëzon komandantët e tij vetëm përmes një “bashkëpunëtori të besuar”, për të shmangur një atentat në stilin e Hassan Nasrallah.

Paranoja është shtuar për shkak të infiltrimeve të Mossad-it izraelit. Mediat shtetërore iraniane kanë paralajmëruar publikun për rrezikun e gjurmimit të telefonave. Thuhet se ushtria izraelite ka përdorur këto të dhëna për të eliminuar objektiva, përfshirë shkencëtarët bërthamorë. Kjo do të ishte arsyeja pse

Irani është izoluar nga interneti – “për të mbrojtur qytetarët”, sipas autoriteteve. Por qytetarët dyshojnë.

“Check-point-et janë trefishuar, po ashtu edhe arrestimet. Sapo kanë varur një tjetër të ri, duke e akuzuar si spiun të Izraelit”, shkruan një student nga Teherani.

Edhe zyrtarë të lartë si presidenti i sapozgjedhur Masoud Pezeshkian dhe ministri i jashtëm Abbas Araghchi nuk kanë arritur të kontaktojnë Khamenein.

Ky izolim besohet të ketë çuar në anulimin e një takimi sekret me përfaqësues amerikanë në Stamboll – ndoshta shansi i fundit diplomatik para përshkallëzimit ushtarak që mund të ndjekë Donald Trump.

Burime të brendshme në Iran thonë se edhe ish-presidenti Hassan Rouhani, ish-kryetari i parlamentit Ali Larijani dhe ish-kreu i drejtësisë Sadegh Larijani kanë tentuar më kot ta kontaktojnë udhëheqësin suprem. Këto pohime nuk janë verifikuar nga burime të pavarura, por nëse janë të sakta, përforcojnë idenë e një boshllëku të rrezikshëm në krye të pushtetit.

Në përpjekje për të ruajtur stabilitetin, Khamenei thuhet se ka emëruar tre kandidatë të mundshëm për pasardhësin e tij. Ndërkohë, një letër drejtuar presidentit rus Vladimir Putin i është dorëzuar nga një ndërmjetës – një “lutje” për mbështetje nga Moska.

Eksperti iranian Saeid Golkar, këshilltar i organizatës United Against Nuclear Iran, deklaron për Corriere della Sera:

“Nëse vërtet askush nuk ka kontakt me liderin, ky është një problem serioz për regjimin. Ka vendime urgjente për t’u marrë. Zakonisht është Khamenei që jep udhëzimet.”

Përçarjet mes linjave të ashpra dhe atyre më pragmatike janë në rritje. Disa kërkojnë një reagim të fortë ndaj SHBA-së, ndërsa të tjerë kërkojnë durim ose një veprim simbolik – si goditjet ndaj bazave amerikane në Irak pas vrasjes së gjeneralit Soleimani, që nuk shkaktuan viktima.

Në mediat iraniane përmendet gjithashtu emri i Ali Larijanit, që sipas disa burimeve po përpiqet të pozicionohet si “shpëtimtari i Iranit” në rast se Khamenei eliminohet.

Top Channel