
Shërbimet e sigurisë ukrainase kanë parandaluar dy tentativa për vrasjen e Presidentit Volodymyr Zelensky, njoftoi kreu i Shërbimit të Sigurisë, Vasyl Malyuk në një deklaratë për gazetarët.
Sipas tij, një sulm i planifikuar në aeroportin e Rzeszow-it në Poloni synonte eliminimin fizik të presidentit ukrainas, ndërsa një tjetër u tentua vitin e kaluar në Kiev.
Malyuk tha se disa metoda ishin marrë në konsideratë për atentatin, duke përfshirë përdorimin e një droni FPV dhe një snajperi. Sulmi kishte për kryerës një ish-ushtarak polak, i rekrutuar dekada më parë, sipas raportimeve të Interfax-Ukraine.
Ministri i Brendshëm i Polonisë, Tomasz Siemoniak, konfirmoi se përgatitjet për këtë atentat u penguan në prill të vitit 2024, kur Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW) arrestoi një shtetas polak i cili tentoi të vendoste kontakte me shërbimet e inteligjencës ruse.
“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me shërbimet ukrainase për të siguruar sigurinë e Presidentit Volodymyr Zelensky,” tha Siemoniak në platformën X. Ai shtoi se më 19 maj 2025 prokurorët ngritën akuza në këtë çështje.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme polake, Jacek Dobrzynski, deklaroi se i dyshuari, i identifikuar si Pawel K., u arrestua më 17 prill 2024 në rajonin e Lublin-it në lindje të Polonisë. Ai ishte angazhuar për të bashkëpunuar me GRU-në ruse dhe kishte detyrë të mbledhte informacione rreth aeroportit Rzeszow-Jasionka.
Në vijim, presidenti polak Andrzej Duda u shpreh se “nuk ka pasur asnjë tentativë vrasjeje,” duke theksuar se kjo situatë dëshmon efektivitetin e masave të sigurisë që autoritetet polake sigurojnë për zyrtarët e huaj.
Top Channel