
Mes dhimbjes, babai i 12-vjeçarit shqiptar që u mbyt pak ditë më parë në Greqi, rrëfen sesi ndodhi ngjarja e rëndë, dhe pse vendosi të dhuronte zemrën e djalit të tij të vogël.
Në një intervistë me gazetaren e Top Channel Dhorjela Çule, ai thotë se donte që zemra e djalit të tij të jetonte, edhe pse ai vetë nuk ja doli dot të mbijetonte.
Bledar Fetollari bën thirrje edhe për ndihmë nga shqiptarët, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
“Unë u nisa me bashkëshorten dhe djalin e vogël, vajta si gjithë të tjerët, emigrant për të punuar, qëndrova për disa kohë aty që po punoja, isha pa letra pa dokumenta, vetëm një dokument nga shteti kisha që ma kishin dhënë për një vit, punonim punë bujqësie, çfarë të dilte.
Atë ditë nusja ishte në punë unë isha në shtëpi, merr një komshi aty dhe më thotë hajde të shohim një punë, djalin e kisha në shtëpi nuk e kisha në shkollë. Kur shkoj në shtëpi djali kishte dalë, kisha lënë një dy euro mbi frigorifer, kishte marrë ato dhe kishte dalë. Isha ulur te divani, jashtë, po pija një cigare kur më telefonoi Leo, djali që i shpëtoi dhe i nxori nga uji.
Më thotë ku je, i them në shtëpi, më thotë: ’Djalin ku e ke?!’ I them këtu e kisha në shtëpi por nuk e di ka dalë. Hajde më thotë mua se po të mbytet djali. I tromaksur u ngrita të ikja me vrap, vjen ai komshiu më thotë mblidhe veten se nuk është djali ynë. Më merr në motor, vete direkt atje, në atë kohë ata po i nxirrnin, mua nuk më lejonin ti shikoja.E çojnë djalin në spital me gjithë shokun e vet Spiron, me makineri i sollën në jetë, filloi po ju punonte zemra ndërkohë unë isha në komisariat.
Policia kur mori në tel spitalin i thanë që fëmijët erdhën në jetë por duhet të shohim reagimin. I çuan në Patër. Atje nuk lejohej, por ne na lejoi, atij vetëm zemra i rrihte. Dy-tre ditë u munduam mos kthehej në jetë por fatkeqësisht jo. Na thanë doktorët që fëmijët nuk shpëtojnë. Më thanë dëshiron të hysh brenda ta shohësh për herë të fundit? Unë u preva i thashë doktorit nuk mundem më. Hyri bashkëshortja.
I thashë doktorit meqë djali nuk bëhet më por zemra i punon, mesë zemra e fëmijës tim shkon në çfardolloj trupi, qoftë fëmijë grek, shqiptar,Italian, gjerman, çfardolloj, mund t’ja jepni vetëm zemra e djalit tim të jetojë. Më falenderuan, edhe familja tjetër e dhuroi. Nuk e bëra për asnjë interes por zemra e djalit të ndihej e gjallë.
Qëndrova edhe dy ditë te shtëpia me qira që kisha në Greqi, pastaj kam marrë djalin, pa asnjë lloj problemi nga shteti grek. Këtu jam në shtëpinë e sime vjehrre, unë nuk kam shtëpi për atë shtëpi u nisa mora rrugën të bëhem si gjithë të tjerët, por i madhi Zot më dha një sprovë të rëndë që…shpirti im e di si po jetoj deri tani.
Apeli im në këto momente është kaq:-Të gjithë popullit që dëshiron se drejt me thënë, për një qëllim vajta, për një hall, për një shtëpi, për një diçka, po pati mundësi ndonjë ndihmë sadopak e vogël të jetë për mua është gjë e madhe se për atë gjë vajta në emigrim pavarësisht se Zoti më kthehu në krahun tjetër, por prapë e falenderoj, Ai na ka dhënë në këtë jetë dhe Ai do të na marrë. Unë tani kam dy vajza dhe një djalë i kam të mëdhenj, këtë e kisha të pleqërisë, këtë që e ruanim si sytë e ballit na i mori Zoti”.
Top Channel