Berisha denoncon komisionerët: Voton vetë dhe udhëzon në dhomë të fshehtë! Këto video i pa edhe Europa

23/06/2025 13:26

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për shtyp bëri një tjetër denoncim.

Përmes videove, të cilave i transmetoi gjatë takimit me gazetarët, ai denoncoi komisionerët që votonin në zgjedhjet e 11 majit apo udhëzonin qytetarët se kë duhet të votonin.

Berisha: Tani, dua të njoh shqiptarët me videon që shokoi audiencën dhe është dëshmi e një përpjekje të jashtëzakonshme që po bën opozita në luftën kundër aktualisht, armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që ka emrin Edi Rama dhe farsës së tij elektorale.

Edhe njëherë, për çdo qytetar që vlerëson lirinë, vlerëson votën dhe fjalën e lirë si themele, të lirive të tij, ai që të merr këto, është armiku yt me i egër pavarësisht nga kombësia, pavarësisht nga shtetësia, pavarësisht se çfarë është, ai është armiku numër 1 i yti me të cilin duhet të përballesh.

Tani, imagjinoni pak kjo, është farsa. Janë me titra, flet vetë, komisioner ai po voton. Krimineli elektoral me uniformë komisioneri e nxjerr prap votën. Nuk ndalet, prapë votë. Komisioneri kontrollon fletën e votimit, para se ai ta hedhë në kutinë e votimit.

Një person merr 4 fletë votimi. E patë. Përsëri. Ky është fytyra e votimit. Aty rri dhe i udhëzon, komisionerja. Gjatë ditës komisionerët votojnë në emër të zgjedhësve. Nuk ka sekret më votën, të gjitha i kontrollon komisioneri ose voton vetë komisioneri. Komisioneri në dhomë të fshehtë duke orientuar. Këto i keni parë ju, por i pa dhe Europa.

Nuk mundet kurrë ndërgjegjja e një njeriu të pranojë këtë farsë. Por sido qoftë ne e bëjmë këtë si detyrim. Natyrisht përgjigja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre. Do të tolerojnë ata një poshtërim të tillë, do të tolerojnë ata një qeveri legjitimiteti i të cilës nuk ekziston, pushteti i të cilës bazohet në një farsë të turpshme elektorale apo do të ngrihen ata për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si njerëz të qytetëruar.

Unë besoj tek e dyta dhe këtu qëndron Partia Demokratike e cila kurrë nuk do t’i pranojë këto zgjedhje.

Top Channel