
Pas sulmit amerikan ndaj Teheranit, televizioni shtetëror rus transmetoi vazhdimisht një pasazh nga marrëveshja e fundit mes Rusisë dhe Iranit, duke theksuar se në rast agresioni ndaj njërës palë, pala tjetër nuk do të ofrojë ndihmë ushtarake agresorit.
Një mesazh që, përtej përmbajtjes ligjore, u perceptua si një sinjal i qartë distancimi dhe si një mjet i propagandës për të qetësuar pritjet e brendshme.
Reagimet zyrtare ruse nuk munguan: Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dënuan veprimin amerikan dhe kritikat ndaj mbështetjes së heshtur perëndimore për sulmet izraelite.
Megjithatë, theksi kryesor i komunikimit shtetëror ishte më shumë në shpjegim sesa në konfrontim, shkruan Corriere della Sera.
Presidenti Vladimir Putin, në takimin me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, foli për “agresion të paprovokuar” ndaj Iranit dhe shprehu “mbështetje për popullin iranian”, por pa përmendur udhëheqjen politike të vendit, duke sinjalizuar qartazi një distancim nga regjimi.
Peskov, nga ana tjetër, pranoi dëmtimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por theksoi se kriza iraniane dhe marrëdhëniet me Uashingtonin janë “procese të pavarura”. Ai shtoi se Kremlini nuk ishte paralajmëruar për sulmin amerikan, megjithëse Putin dhe Trump kishin diskutuar më herët krizën.
Në Rusi, reagimet e brendshme kanë qenë të vakëta. Zërat e pakët që kërkojnë mbështetje të hapur për Iranin vijnë nga ekstremistë si Dmitry Medvedev apo oligarku nacionalist Konstantin Malofiev, i cili sugjeroi një rol diplomatik për Rusinë në negociatat e paqes, duke “luajtur në dy tavolina”.
I vetmi zë i ashpër proteste mbetet Igor Girkin – nacionalisti ekstrem, i burgosur aktualisht – i cili paralajmëroi se në mungesë të ndihmës nga Rusia dhe Kina, Irani rrezikon të kthehet “në Epokën e Gurit”.
Ndërkohë, në sfond qëndron kujtesa e ashpër e vitit 2023: përvjetori i rebelimit të dështuar të Wagnerit dhe Prigozhinit, që Putini e shtypi me dorë të hekurt. Ky precedent i kujton opinionit rus se çfarë ndodh kur sfidohet autoriteti i Kremlinit — edhe nga aleatë të pakëndshëm.
Top Channel