
Në një mesazh të fortë gjatë lutjes të dielën, Papa Leoni i 14-të lëshoi një apel urgjent për ndalimin e luftës dhe për rivendosjen e paqes në botë.
“Sot më shumë se kurrë, njerëzimi bërtet dhe bën thirrje për paqe: është një britmë që kërkon përgjegjësi dhe arsye dhe nuk duhet të mbytet nga gjëmimi i armëve dhe fjalët retorike që nxisin konflikt”, tha Ati i Shenjtë.
Papa paralajmëroi se bota ndodhet në prag të një katastrofe të pashmangshme nëse nuk merren masa të menjëhershme. “Ndaloni tragjedinë e luftës para se të bëhet një humnerë e pariparueshme”, deklaroi ai. “Lufta nuk i zgjidh problemet, përkundrazi i amplifikon ato dhe prodhon plagë të thella në historinë e popujve që kërkojnë breza për t’u shëruar”.
Tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara mbi objektivat strategjikë në Iran. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se Moska “dënon me forcë” sulmet dhe i konsideron ato si një faktor që rrezikon të përkeqësojë më tej situatën rajonale dhe globale.
Nga ana tjetër, Franca ka distancuar veten nga ndërhyrja ushtarake. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, theksoi se Parisi “nuk mori pjesë në sulmet” dhe as në planifikimin e tyre.
Irani reagoi me zemërim ndaj sulmeve, duke e akuzuar SHBA-në për përshkallëzim të qëllimshëm. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, gjatë një konference për shtyp në Stamboll, u shpreh se: “SHBA-të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e veprimeve të tyre. Kjo nuk është koha për diplomaci, ne do t’u përgjigjemi sulmeve”.
Araghchi ka kritikuar ashpër presidentin amerikan Donald Trump, duke e akuzuar për mashtrim të votuesve me premtimet për të ndaluar luftërat. “Ai ka tradhtuar premtimin e tij për t’i dhënë fund luftërave dhe ka zhgënjyer jo vetëm Iranin, por edhe popullin amerikan”, tha ai.
Sipas burimeve zyrtare, një takim i rëndësishëm mes ministrit të jashtëm të Iranit dhe presidentit rus Vladimir Putin është planifikuar për të hënën, me qëllim konsultime serioze mbi situatën e krijuar.
Top Channel