
Zyrtarë rajonalë në Iran kanë konfirmuar se impiantet bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Fordow janë sulmuar, sipas raporteve të mediave shtetërore iraniane.
“Pak orë më parë, pas aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Qom dhe identifikimit të objektivave armiqësore, një pjesë e zonës së impiantit bërthamor në Fordow u sulmua nga forcat ajrore të armikut,” tha një zëdhënës i qendrës së menaxhimit të krizave të rajonit të Qom-it, sipas agjencive të lajmeve Fars dhe IRNA.
Impianti në Fordow ndodhet thellë në malet e veriut të Iranit dhe përmban centrifuga të avancuara për pasurimin e uraniumit në nivele të larta pastërtie. Besohej se vetëm bombat amerikane të llojit “bunker-buster” do të ishin në gjendje të dëmtonin impiantin, për shkak të thellësisë së tij.
Zëvendësguvernatori për sigurinë në Isfahan konfirmoi se edhe impiantet në Isfahan dhe Natanz, që ndodhen në Iranin qendror, janë sulmuar.
“Ne pamë depërtime pranë impianteve bërthamore në Isfahan dhe Natanz,” tha ai, duke shtuar se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar për të “përballuar objektivat armiqësore”, por “u dëgjuan disa shpërthime,” cituan agjencitë guvernatorin.
Sipas mediave iraniane, impiantet ishin evakuuar paraprakisht.
Top Channel