Tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara, arrestohen shtetasit turq! Përdorën pasaporta greke

21/06/2025 16:55

Dy shtetas turq janë vënë në pranga, pasi tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara.

Të arrestuarit janë H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të dy me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit në dalje, 29-vjeçari, i cili do të udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, së bashku me 21-vjeçarin paraqiti një pasaportë greke, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar. Të dy shtetasit u kaluan në vijë të dytë për kontroll më të detajuar.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit H. K. një kartë identiteti dhe një leje drejtimi greke, të dyshuara si të falsifikuara. Gjithashtu, edhe pasaporta greke e paraqitur rezultoi e falsifikuar.

Ndërkohë, në çantën e shpinës së shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën një pasaportë turke me të dhënat e shtetasit H. K., e cila, pas ekzaminimit në laborator, rezultoi dokument i rregullt.

Në bagazhet e shtetasit A.H., Policia gjeti një pasaportë greke, një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke me të dhënat e shtetasit Y. Y., të cilat, pas ekzaminimit paraprak në laborator, rezultuan të falsifikuara.

Materialet u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel