Rinumërimi në Tiranë, mbyllet për sot procesi! PD dhe PS më shumë vota në procesverbal se në kuti! Bashës i janë “zhdukur” votat nga numëruesit

21/06/2025 17:35

Rinumërimi i 437 kutive të votimit në Tiranë ka treguar se dy partitë e mëdha janë favorizuar nga numëruesit e tyre në 11 maj.

Prej ditësh, kutitë e qarkut të Tiranës po numërohen për herë të dytë pas kërkesës së dy anëtarëve të KAS-it.
Por çka po tregon ky proces, nuk është ajo që prisnin demokratët.  Deri tani rezulton se Partisë Demokratike i janë shtuar padrejtësisht 219 vota, ndërsa PS-së 193 vota.

Në një masë më të vogël në numërimin e parë kanë përfituar edhe Lëvizja Bashkë e cila ka marrë 10 vota më tepër, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 26 vota, PSD 23 vota dhe Partia Mundësia 8 vota.

Ndërkohë nga numëruesit janë penalizuar Partia e Lulzim Bashës që i mungojnë 13 vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim i Dashamir Shehit që i mungojnë 7 vota.

Procesi i rinumërimit do të hapet sërish ditën e hënë, teksa e diela është vendosur pushim për ta.

 

Top Channel