
Pakistani njoftoi planet e tij për të nominuar presidentin amerikan Donald Trumpin për Çmimin Nobel të Paqes, një vlerësim ky, të cilin siç thotë Reuters, e dëshiron me gjithë shpirt.
Argumenti zyrtar i një lëvizjeje të tillë do të ishte ndihma që shefi i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë për zgjidhjen e konfliktit të fundit mes Indisë dhe Pakistanit.
Megjithatë, disa analistë e shohin dhe si hap që synon ta bindë kreun e administratë amerikane që të mendohet dy herë përpara se të vendosë bashkimin me Izraelin në sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Pakistani i ka dënuar veprimet e shtetit hebre ndaj Republikës Islamike si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për stabilitetin rajonal. Shpresat e tij janë që Trumpi në fund, t`ia ndalojë ushtrisë së tij goditjen e objektivave në Iran.
Në muajin maj, një njoftim i papritur nga presidenti i SHBA-së për armëpushim i dha fund një konflikti katër-ditor midis dy armiqve afatgjatë. Që atëherë, vazhdimisht Trump është mburrur se arriti të shmangë një luftë bërthamore dhe se shpëtoi miliona jetë, e është ankuar se nuk mori asnjë meritë për këtë.
India megjithatë e mohon që Shtetet e Bashkuara të jenë përfshirë në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të konfliktit, e insiston se marrëveshja ka qenë dypalëshe midis dy vendeve, pa palë të treta të përfshira në të.
Top Channel